Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i ftojë të gjithë kryetarët e partive opozitare në një takim të vetëm kur bëhet fjalë për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ajo ka thënë se vetëm një takim i tillë do të kishte efekt.
Ajo ka thënë se Kurti nuk po dëshiron zgjidhje, por zgjedhje.
“Unë kam kërkuar që zoti Kurti t’i thirrë kryetarët e partive opozitare të gjithë në një takim të përbashkët, sepse ne nuk e dimë se çka po flitet brenda në takim dhe kjo është joserioze ndaj Kurtit. Po nëse bëhet një takim i të gjithë liderëve opozitarë me Kurtin kjo do të kishte sjellë efekt. Mirëpo ne po e dimë që Kurti nuk po do me e pasë një zgjidhje, por po do zgjedhje dhe po mundohet që fajin me ua gjujt opozitës. Ne po e shohim të gjithë që Kurti po i don zgjedhjet’, ka thënë ajo për EO.
Ajo, ka deklaruar se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit/es i takon partisë më të votuar në zgjedhjet e fundit, Lëvizjes Vetëvendosje.
Tek kanë mbetur edhe fiks tri javë deri në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, liderët e partive më të mëdha në Kosovë nuk po i afrohen ndonjë marrëveshjeje.
Edhe takimi i katërt në muajt e fundit, mes kryetarit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri. Të dy kanë theksuar se nuk duan zgjedhje të reja, teksa kanë thënë se janë marrë vesh që përmbajtja e diskutimeve të mbetet konfidenciale.
Edhe
Cila do të jetë formula e zhbllokimit?
Të hënën, Kurti ka thënë se po bën përpjekje të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Por PDK-ja i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit, ta konkretizojë iniciativën e re për çështjen e presidentit në formë të shkruar.
Kurti nuk e ka ftuar për takime Ramush Haradinajn e AAK-së që ka 6 deputetë.