Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Buxheti për psikologët në shkolla shfrytëzohet për qëllime tjera

Në institucionet arsimore janë të angazhuar vetëm 87 psikologë. Ndërsa të dhënat e zyrës së UNICEF-it në Kosovë tregojnë se në pesë vjetët e fundit ka pasur rritje të dukshme të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve. Prania e psikologëve në institucionet arsimore u cilësia e nevojshme gjatë një diskutimi të organizuar nga Komisioni për Arsim dhe organizata KOMF.

Buxhetin e alokuar për punësimin e psikologëve nëpër shkolla, drejtoritë nëpër komuna e shfrytëzojnë për qëllime të tjera.

Në një tryezë të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ministrja Arbërie Nagavci tha se për këtë do të krijohet një komision mbikëqyrës.

“Ndonëse në buxhet janë të planifikuara 520 psikologë për punësim në shkolla, e vërteta është që aktualisht në nivel vendi i kemi gjithsej 146 staf psikologësh dhe pedagogë, prej tyre 59 pedagogë dhe 87 psikologë. Ndërsa numri tjetër prej 520 është shfrytëzuar nga komuna për punësimet e stafit tjetër”, ka thënë ministrja Nagavci.

Për parandalimin e dhunës në institucionet arsimore, prania e psikologëve u vlerësua e nevojshme nga nxënësi Eldin Gashi.

“E shoh që fëmijët nuk kanë shumë informacion se si të sillen me një fëmijë me aftësi të kufizuara sepse nuk ka shumë trajnime që bëhen në shkollat për bullizmin”, është shprehur Gashi, nxënës në gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Sipas raportit të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, në pesë vjetët e fundit ka pasur rritje të dukshme të dhunës ndaj fëmijëve.

“Në vitin 2019/2020 siç u përmend numri ishte më i lartë, kemi 72 për qind që janë ballafaquar me dhunë psikologjike dhe fizike, ndërsa 30 për qind janë përballur me dhunë fizike. Pra, në një periudhë 5-vjeçare në fakt kemi pasur një rritje të dhunës ndaj fëmijëve”, ka thënë Larissa Brunn nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Edhe Raportimi i dhunës në shkolla, ndër sfidat e mëdha Arbëri Raportimi i dhunës në shkolla, ndër sfidat e mëdha

Me rritjen e rasteve të dhunës, kjo tryezë diskutimi u konsiderua e vonuar.

“Dhuna në shkollë mbetet një dukuri shqetësuese në vendin tonë. Plagosjet me thikë e deri të akti më i rëndë i marrjes së jetës, janë raportuar dhe po raportohen në vazhdimësi, kjo si formë më e dhunshme, ndërkohë që format e tjera të buta të dhunës ndaj fëmijëve i shfaqin pothuajse çdo ditë”, ka theksuar Ardian Gola, kryetar i Komisionit për Arsim.

Në këtë takim u kërkua që brenda programit të arsimit të futet programi për zhvillimin psikologjik dhe social te nxënësit.