Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Burgim efektiv vetëm në dy aktgjykime për nxitje të urrejtjes, nga 14 sosh që u morën nga 2021-ta

Krahas dy personave që janë arrestuar këtë muaj për gjuhën që nxit urrejtje në bazë kombëtare a fetare, tri aktakuza janë ngritur në prill dhe maj. E, aktgjykimet e deritashme tregojnë për dënime të buta. Për katër vjet, vetëm dy dënime janë dhënë me burgim efektiv.

Burgim efektiv parashohin vetëm dy nga 14 aktgjykimet e shpallura nga viti 2021 e deri tash për vepra penale që lidhen me nxitje të urrejtjes, e të cilat janë të qasshme.

Me njërin, një shtetas të Serbisë Themelorja në Prishtinë e ka dënuar me 8 muaj burgim, shkaku që ka mbajtur flamuj serbë me hartë të Kosovës, me mbishkrimin “s’ka dorëzim” dhe për thirrjen “vrite, vrite shqiptarin!”. E me aktgjykimin tjetër u dënua me 5 muaj burgim një shtetas tjetër serb për thirrjet antishqiptare që i shpërndau në TikTok.

Për gjuhën që nxit urrejtje në bazë kombëtare a fetare, tri aktakuza janë ngritur në prill, ndërsa dy persona janë arrestuar këtë muaj.

Profesor i gazetarisë, Alban Zeneli, thotë se përhapja e gjuhës së urrejtjes ka marrë përmasa të mëdha, sidomos në hapësirat online.

“Provat fizike, pra të shtypura apo të formave të tjera janë më lehtë të gjindshme nga ana e organeve të drejtësisë dhe më lehtë të argumentueshme – kjo besoj duhet të jetë shpjegimi se pse ka më shumë raste gjyqësore që ‘offline’ ka më shumë raste të gjykuara sesa për gjuhën e përdorur në platformat online”, ka thënë Zeneli.

Edhe Amnistimi i urrejtjes Arbëri Amnistimi i urrejtjes

Shumica e dënimeve janë dhënë me burgim me kusht, ose me gjobë. Por, ka edhe raste amnistie.

Ndonëse u dënua në shkallë paraprake gjyqësore, Supremja e liroi ish-deputetin dhe ish-ministrin nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviqin, që pati mohuar masakrën e Reçakut. Gjykata justifikoi vendimin me lirinë e shprehjes, dhe konstatoi se nuk u argumentua mundësia e prishjes së rendit publik nëpërmjet qëndrimeve të Todosijeviqit.

Gjyqtari i pensionuar Musa Konxheli, i cili ka kryesuar trupin gjykues që e ka dënuar Todosijeviqin, thotë se vendimi i Supremes është i pakuptimtë.

“Nëse vendoset ky standard, konsideroj se është standard shumë i lartë që do ta kenë të vështirë jo vetëm prokuroria dhe gjykata, por ndoshta edhe pamundësi rrallë ndodh që të plotësohen këto kushte sidomos mundësia e prishjes së rendit apo trazirat dhe protestat për të ngritur aktakuzë dhe më pas për t’u shpallur fajtorë...”, ka thënë avokati Konxheli.

Adelina Hasani është hulumtuese e sigurisë dhe politikës së jashtme, dhe kritikon edhe autoritetet e sigurisë për mosveprim, në rastet e nxitjes së urrejtjes. Ajo shtron nevojën që të punohet veçmas në shkolla.

Edhe Rrëzohet aktgjykimi dënues ndaj dy të akuzuarve për thirrje për xhihad Arbëri Rrëzohet aktgjykimi dënues ndaj dy të akuzuarve për thirrje për xhihad

“Fatkeqësisht ne po e vërejmë që një gjuhë e urrejtjes po rritet sidomos te të rinjtë edhe në shkolla edhe në diskutimet që i kemi pasur edhe me mësimdhënësit e edhe me psikologët është duke u normalizuar një gjuhë e urrejtjes dhe sidomos është duke u normalizuar kjo gjuha e urrejtjes që është e ndërlidhur me narrativat anti-gjinore”, ka thënë ajo.

Pavarësisht vendimeve të organeve të drejtësisë për të ndëshkuar nxitësit e urrejtjes e përçarjes në Kosovë, rastet e trajtuara tregojnë për një qasje të pabarabartë dhe shpeshherë të butë.