Guvernatori i Bankës së Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, u shpreh se masat e ndërmarra nga ky institucion janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë, raportoi "EO" të martën.
Sipas tij, dy vitet e fundit ishin mjaft sfiduese për sistemin financiar dhe ekonominë.
Mehmeti tha se sektori bankar ka arritur të ruajë qëndrueshmëri të lartë, duke shtuar se aktualisht norma e kredive qëndron 2.3 për qind, ndërsa norma vjetore 15.7 për qind.
Ai shtoi se vetëm gjatë vitit 2021, 1.8 miliardë euro janë lëshuar për kredi të reja.
“Në anën tjetër jo vetëm që ka tejkaluar krizën por ka marrë rol kyç për rritjen ekonomike. Prandaj prioriteti është që bankat të ruajnë qëndrueshmërinë. Ekonomia ka shënuar rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5 për qind, ku ndër kontribuuesit është edhe sektori bankar. Një ekonomi që të funksionojë mirë duhet të jetë konkurruese, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme. Vëmendje të veçantë raporti i kushton digjitalizimit. BQK-ja ka bërë hapa të rëndësishëm në liberalizimin e tregut dhe është duke punuar në draft-ligjin në sistemin e pagesave”, tha Mehmeti.
Ndërkohë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ka prezantuar raportin e Tranzicionit 2021-2022, të martën.
Edhe
BQK-ja parashikon rritje ekonomike 3.2 për qind në vitin 2023
Neil Teylor, udhëheqës i Zyrës së BERZh-it, tha se vitin e kaluar kanë ndihmuar kompanitë me mbi 15 milionë euro, të ndara në 109 projekte zhvillimore.
“Njerëzit me shkathtësi digjitale e braktisin vendin për vende tjera. Kjo është lëmi në të cilin banka duhet të përqendrohet. Në dy vjetët e fundit kemi vendosur t’u ndihmojmë kompanive, e ku kemi pasur 109 projekte zhvillimore. Tashmë po shohim kërkesë për këtë punë dhe ky trend do të vazhdojë. Bankat duhet të ecin më shpejt dhe t’u paraprijnë zhvillimeve. Me 15 milionë euro investime e kemi mbyllur vitin e kaluar”, tha ai.