Intervistimi me dyer të mbyllura i kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, të shtunën dhe të hënën, ka nxitur reagimin e lëvizjes “FOL” dhe të shoqërisë civile.
Për monitorimin i këtij procesi, lëvizjes “FOL” iu kërkua nga BQK-ja të nënshkruajë një deklaratë konfidencialiteti, gjë që, sipas kësaj organizate, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje flagrante të së drejtës së organizatave joqeveritare për të monitoruar proceset.
“Para se zyrtarja e FOL-it të hynte në zyrën ku do të zhvilloheshin intervistat, sekretari i panelit intervistues ka kërkuar nga ajo që të nënshkruajë Deklaratën e Konfidencialitetit, gjë që do ta detyronte organizatën të trajtonte këtë proces në mënyrë top konfidenciale”, thuhet nga Lëvizja “FOL”.
Komisionerja në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva – Dermaku, gjatë një diskutimi të organizuar të hënën nga “FOL”, ka thënë se për pozitat, për të cilat ka interes të lartë publik, mund të marrë pjesë cilido qytetar që shpreh vullnet të jetë i përfshirë.
“Çështja e konkurseve publike është publike, sidomos kur kemi të bëjmë më pozita të tilla që janë të interesit të lartë publik, siç është ajo e guvernatorit (të BQK-së). Edhe në këndvështrim të Ligjit për qasje në dokumente publike nuk mund të ndalohet dikush ta monitorojë një proces të tillë”, tha Sogojeva.
Sogojeva, po ashtu, ka thënë se nuk ka bazë ligjore të kërkohet nënshkrimi i deklaratës së konfidencialitetit.
“Kjo qasje është dashur të lejohet pa asnjë kusht. Ndërsa edhe deklarata e konfidencialitetit nuk është diçka që ata e kanë të përcaktuar me rregullore të brendshme”, tha Sogojeva.
KOHA ka kontaktuar edhe me zyrtarë të BQK-së dhe me gjithë premtimin për përgjigje, deri në orët e mbrëmjes të së hënës, nuk e kanë bërë këtë.
Posti i guvernatorit të BQK-së është një prej atyre që paguhet më së shumti në institucionet publike. Paga mujore e guvernatorit është 4 mijë e 433 euro.
BQK-ja kohëve të fundit është përballur me akuza për punësime partiake e nepotizëm, pasi ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Bashkim Nurboja, është zgjedhur anëtar i Bordit të BQK-së, kurse Ramadan Osmani, vëllai i presidentes Vjosa Osmani, para disa muajsh ka marrë postin e mbikëqyrësit të lartë bankar në këtë institucion.