Arbëri

Bombolat e oksigjenit mund të blihen edhe online, LVV-ja dorëzon kallëzim penal

Në kohën kur i tërë fokusi është te mungesa e oksigjenit dhe që familjarët duhet ta sigurojnë atë vetë, bombola të oksigjenit e aparatura përcjellëse po ofrohen për blerje në faqe interneti.

Prej 100 deri në 700 euro shkon çmimi për blerjen e një bombole apo aparature në faqen “MerrJep”.

Në lidhje me këtë KOHA e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, por i është thënë se pyetjet duhet t’i drejtohen SHSKUK-së. E kjo e fundit nuk është përgjigjur gjatë së enjtes.

KOHA javë më parë ka raportuar për mungesën e oksigjenit në Spitalin e Gjilanit dhe se familjarët e pacientëve të shtirë në këtë spital janë detyruar të blejnë oksigjen te kompanitë e palicencuara.

E lidhur me këtë çështje deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale. Sipas tyre, kallëzimin e kanë dorëzuar shkaku që nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet, as nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe as nga u.d. i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Ne kemi pranuar një varg ankesash prej qytetarëve në radhë të parë por edhe prej profesionistëve shëndetësor e së fundmi edhe drejtorëve të spitaleve tona për mungesë të oksigjenit, ne e kemi adresu si shqetësim edhe në kuvendin e Kosoves”, tha deputeti i LVV-së, Fitim Uka.

“ Kemi bashkangjitur si dëshmi edhe komunikimet zyrtare që deputetet kanë zhvilluar me organet kompetente qoftë licencimin e kompanive që bëjnë shitjen e oksigjenit dhe shesin produkte medicinale dhe dëshmi të tjera që deputetet kanë mësuar nëpërmjet punës në kuvend”, deklaroi juristi Getoar Mjeku.

Në kallëzimin penal të Lëvizjes Vetëvendosje janë përfshirë edhe çmimet e larta për terapinë që përdoret për trajtimin e Covid-19, e që qytetarëve u ka kushtuar mijëra euro.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të martën në raportimin para Komisionit për Shëndetësi ka pranuar se kanë pasur problem me furnizim të oksigjenit porse, sipas tij, ky problem tashmë është tejkaluar.

Image