Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHSKUK: Për shkak të rritjes së pacientëve të spitalizuar është rritur kërkesa për furnizim me oksigjen

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka komentuar raportimet se nëpër spitale ku po trajtohen pacientët me COVID-19, ka mungesë të oksigjenit. Se është shtuar kërkesa për furnizimin me oksigjen, SHSKUK-ja thotë se po ndodhë si pasojë e rritjes së pacientëve të spitalizuar.

“Për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të spitalizuar, ka pasur kërkesa në rritje për furnizim me oksigjen dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë të furnizohen konform kërkesave dhe nevojave. Lidhur me trajtimin e pacientëve, mjekët janë profesionistë dhe kanë kompetencë të plotë të vendosin se në cilin stad pacientët transferohen për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si institucioni i vetëm terciar shëndetësor në vend”, njofton SHSKUK-ja.

Dje, KOHA ka raportuar se problemet me furnizimin dhe sigurimin e sasive të nevojshme të oksigjenit nga institucionet shëndetësore publike kanë shtyrë familjarë të pacientëve që ditëve të fundit ta blejnë atë edhe nga kompani të palicencuara në Kosovë. Në dy prej faturave që ka siguruar KOHA, shihet se një qytetar ka blerë një bombol të oksigjenit në vlerë 215 euro e një tjetër gjithashtu me 135 euro.

Të martën, gjithashtu është ftuar në interpelancë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të raportuar lidhur me mungesën e furnizimeve me oksigjen në institucionet shëndetësore.