Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bojan Bozhoviq kërkon të aderojë në Lëvizjen Vetëvendosje, pret përgjigje pozitive

Bojan Bozhoviq nga komuniteti serb që jeton në Zubin Potok, ka bërë kërkesë të bëhet pjesë e partisë së Albin Kurtit, Vetëvendosjes.

Ai për Koha.net ka thënë se ka aplikuar gjatë ditës së djeshme në selinë e Vetëvendosjes në Mitrovicë, më pas ka kontaktuar edhe me disa persona në Kryesinë e Vetëvendosjes, ndonëse ende s’ka marrë një përgjigje përfundimtare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përmes një postimi në Facebook, Bozhoviq lë të kuptohet se pret të bëhet pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë mendoj se është e qartë, por ai që është përgjegjës do ta konfirmojë zyrtarisht atë”, thuhet në shkrimin që e ka bërë Bozhoviq mbi një foto, ku shihet selia e Vetëvendosjes në Mitrovicë.

Por një burim brenda VV-së i ka thënë Koha.net se ende s’ka informacione, të paktën jo deri tash, se a do të bëhet ai pjesë e Vetëvendosjes.

Bozhoviq i ka thënë portalit Koha.net se pret një përgjigje pozitive nga Albin Kurti.

“Pajtohem absolutisht me politikën e z.Kurti. Me qëndrimet e tij edhe për Listën Serbe, edhe për veriun e Kosovës. Më duket se ka ardhur koha që të vijnë në pushtet serbët që e pranojnë dhe e duan Kosovën, jo ata që dirigjohen nga Beogradi zyrtar. Edhe nëse Kurti nuk përgjigjet pozitivisht, unë edhe në të ardhmen do të mbështesë politikën e tij, si një qytetar i Kosovës. Në fund të fundit, unë jam banor serb i Kosovës dhe e dua Kosovën. Asnjë parti nuk është pronë private, por megjithatë jam i bindur që Kryesia e Vetëvendosjes do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës sime”, tha Bozhoviq për Koha.net.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-s, megjithatë po përpiqet të përfshijë brenda grupit të vet parlamentar ose edhe brenda koalicionit të ri me LDK-në, edhe deputetë e figura nga radhët e komuniteteve tjera, raporton Koha.net.

I fundit që aderoi në Vetëvendosje ishte deputeti i IRDK-së, Elbert Krasniqi.

Deri tash, kur është thuajse fundi i rinumërimit të vendvotimeve, është vlerësuar se koalicioni VV-LDK mund ta formojë qeverinë e re të Kosovës.

Për formimin e qeverisë së Kosovës janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend.

Për t’i siguruar votat e nevojshme për qeverinë e re, subjekti fitues i zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, përveç Lidhjes Demokratike besohet se mund të llogarisë që koalicionin paszgjedhor ta ndërtojë edhe me komunitetet joshumicë.