Zgjedhjet lokale

Kurti – diasporës: Vota juaj vendimtare për fitoren në zgjedhjet lokale

Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka ftuar diasporën që ta mbështesë këtë parti edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në një video të publikuar në Facebook, ai ka thënë se angazhimi i diasporës e ka nxjerrë Vetëvendosjen të parën në 22 komuna në zgjedhjet qendrore të shkurtit.

“Tani, me zgjedhjet lokale që po afrojnë, le t’i bëjmë komunat anembanë Kosovës shembull të qytetarisë, të zhvillimit dhe të qeverisjes sonë të mirë. Më 12 tetor mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë dhe vota juaj është vendimtare për fitoren tonë. Ftoni çdo bashkatdhetar, secilin e secilën të regjistrohet, në mënyrë që askush të mos e humbë mundësinë për ta jetësuar qeverisjen e vërtetë edhe në nivel lokal”, ka thënë Kurti. “Me votën tuaj, komunat do të kenë njerëz të ndershëm e të përkushtuar që punojnë për qytetarët, duke larguar njëherazi nga pushteti klanet dhe ata që i shohin komunat si pronë private. Me votën tuaj, fitoret tona bëhen të plota!”

Diaspora ka kohë edhe gjashtë ditë për t’u regjistruar për votim në zgjedhjet lokale.

Tash e disa palë zgjedhjesh, votat nga diaspora kanë shkuar në shumicë për partinë e Kurtit.