Në Kosovë janë të regjistruara rreth 500 mijë vetura dhe nga to 170 mijë janë me targën 01, pra të regjistruara në rajonin e Prishtinës. Komandanti i Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor për Rajonin e Prishtinës, Sylejman Halili ka thënë se më 2025 për më shumë siguri në rrugë kanë rritur për 13.52 për qind numrin e gjobave, në raport me një vit më herët.
“Janë 120 mijë vetura që në ditë qarkullojnë në 400 rrugë të Prishtinës. Këto vetura vijnë nëpër autostradë, pra vijnë shpejt por kur hyjnë në qytet sidomos në mëngjes dhe mbrëmje krijohen tollovi sepse Prishtina me këto rrugë nuk ka kapacitet për kaq shumë qarkullim”, ka thënë Halili.
Në një intervistë në emisionin 038, Halili ka thënë se derisa Prishtina nuk e ka unazën, si zgjidhje policia e ka propozuar lëvizjen njëkahore në krejt kryeqytetin.
“Na kemi kërkuar që rrethi që është testuar më herët të bëhet më i gjerë dhe të përfshihen të gjitha lagjet në atë rreth. Ne kemi problem me autobusë që nuk mund të kalojnë nëpër disa rrugë dhe rrugët që janë testuar nga komuna kanë qenë një perimetër i ngushtë. Hyrja njëkahore duhet të nisë te rrethi i spitalit dhe dalja në rreth të Mitrovicës”, ka thënë ai.
Halili ka përmendur edhe Veternikun si zonë problematike duke thënë se derisa nuk ndërtohet rrethrrotullimi është propozuar vendosja e semaforëve përkohësisht.
Nga gjobat 60 për qind e gjobave janë për tejkalim të shpejtësisë, 38 për qind për mosmbajtje të distancës e ku përfshihet edhe përdorimi i telefonit.
“Edhe në kolonë nga përdorimi i telefonit ka goditje. Këtë problem s’e kemi vetëm ne, por krejt Ballkani. Prandaj nëse 2 herë dënohesh për përdorim telefoni, të konfiskohet patentë shoferi”, ka thënë komandanti i njësitit për trafik.
Më së shumti gjoba policia ka shqiptuar me vetura inteligjente.