Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 3 mijë persona vdiqën në aksidente trafiku që nga viti 2000

Policia e Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, ka deklaruar se që nga viti 2000 e deri më sot, në rrugët e Kosovës kanë vdekur mbi 3 mijë persona si pasojë e aksidenteve të trafikut.

Këto deklarata Shabani i bëri të mërkurën gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së Policisë Rajonale të Prishtinës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, vitin e fundit është shënuar rritje e rasteve fatale në trafik, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë territorin e Kosovës.

“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur rritje të fataliteteve në trafik. Nga 89 persona të vdekur sa kishim në vitin 2024, numri ka kaluar mbi 100. Që nga viti 2000 e deri më sot, Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 jetë njerëzish në trafik. Ky është një numër shumë i madh dhe siguria në trafik do të jetë një nga prioritetet kryesore”, ka thënë Shabani, transmeton EO.

Ai theksoi se Policia e Kosovës nuk mund ta përballojë e vetme këtë sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me komunat, Ministrinë e Infrastrukturës dhe shoqërinë në përgjithësi, veçanërisht në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve.

“Kjo kërkon angazhim të përbashkët, që nga vetëdijesimi i qytetarëve, procesi i pajisjes me patentë shofer, deri te kontrollet e shtuara policore në rrugë”, u shpreh ai.

Shabani ka përmendur edhe disa faktorë që, sipas tij, kanë ndikuar në rritjen e problemeve në trafik, ndër ta numrin e madh të qytetarëve që kanë qarkulluar në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

“Një nga faktorët kryesorë ka qenë fluksi i madh i njerëzve që kanë hyrë në Kosovë. Kemi pasur rritje me miliona vizitorë, rreth 2 deri në 3 milionë persona. Po ashtu, është rritur ndjeshëm numri i veturave të regjistruara dhe i patentë-shoferëve”, tha ai.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2011 në vend ishin rreth 400 mijë patentë-shoferë, ndërsa sot ky numër ka arritur në rreth 900 mijë.

Ndërkohë, gjatë prezantimit të raportit u theksua se në rajonin e Prishtinës është shënuar rënie e rasteve të vrasjeve, grabitjeve, vjedhjeve të rënda, si dhe e dhunës në familje.