Arbëri

Sivjet vdiqën 101 persona në aksidente trafiku

Kanë vdekur 101 persona në aksident trafiku nga janari e deri në nëntor të këtij viti.

Sipas të dhënave të Policisë, sivjet ndodhën afro 22 mijë aksidente në të cilat u lënduan mbi 15 mijë persona.

Sipas këtyre statistikave, mesatarisht në Kosovës kanë ndodhur 60 aksidente në ditë e kanë vdekur më shumë se 9 persona në muaj.

Kësisoj, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sivjet në aksidente trafiku kanë humbur jetën 9 persona më shumë, janë regjistruar 1.398 aksidente më tepër dhe janë lënduar 1.416 persona më shumë se vjet.

Të premten në autostradën Ibrahim Rugova vdiqën dy shtetase të Shqipërisë.

Një ditë pas, të shtunën, pikërisht në këtë rrugë ndodhi edhe një aksident tjetër.

Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi tha se aty u lënduan dy persona.

“Policia në orën 07:47 është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë, kilometri i 27 drejtimi Suharekë-Duhël. Sipas njësisë policore, në aksident janë përfshirë dy automjete dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime”, ka thënë Krasniqi.

Një tjetër aksident me lëndime gjatë së shtunës u regjistrua edhe në Prishtinë.

Ditë më parë, Policia bëri thirrje që ngasësit e automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të mjegullës në disa pjesë të vendit.

Eksperti i Komunikacionit, Bekim Ahmeti, thotë se janë tre faktorë që ndikojnë në aksidentet rrugore.

“Faji në grupin e parë bie mbi kurrizin e inxhinierëve, pastaj vijnë Policia dhe popullata. Në qoftë se inxhinierët nuk e bëjnë punën e tyre së bashku me Policinë, pastaj edhe popullata nuk e ka një edukatë të mirëfilltë dhe nuk sillet mirë në komunikacion, apo si respekton rregullat e komunikacionit, atëherë vjen gjendja deri ku vjen”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti thotë se për rrugët e Kosovës janë të nevojshme pajisjet inteligjente, kamerat dhe radarët.

“Kosovës çka i mungon në aspektin e komunikacionit e kemi cekur disa herë, kemi thënë që inteligjenca artificiale i mungon Kosovës”, ka thënë ky ekspert i komunikacionit. “Aty ku nuk vëren syri i policit, vëren syri i kamerës apo radarëve dhe kësisoj funksionon ajo”.

Nga fillimi i vitit e deri më tash, Policia ka shqiptuar mbi 715 mijë tiketa për kundërvajtje ndaj ngasësve të automjeteve, mbi 40 mijë më shumë sesa që u shqiptuan vitin e kaluar.