Harxhimi i kombinimeve të shifrave dhe shkronjave për targat e automjeteve që lëshohen në rajonin e Prishtinës, ka nxitur Ministrinë e Brendshme të vendosë për një ndryshim. Tri shifrave në mes, kjo ministri ka planifikuar t’ua shtojë edhe një. Ndërkaq, ekspertë të komunikacionit kanë sugjeruar edhe ndryshime të tjera në targa.
Targave të automjeteve me kodin 01, pritet t’u shtohet edhe një shifër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistria e Punëve të Brendshme ka finalizuar draftin e udhëzimit administrativ për përmbajtjen dhe formën e targave të regjistrimit, dokument në të cilin theksohet se në targat për rajonin e Prishtinës numrat do të jenë katërshifrorë.
“Për targat e rëndomta horizontale me kodin 01, numrat do të jenë edhe katërshifrorë, pa vizë horizontale, pastaj në fund të targës shënohen dy shkronja të alfabetit standard latin duke filluar nga shkronja A deri te shkronja Z, me përjashtim të shkronjave R, V, X dhe kombinimit të shkronjave TA. Numri katërshifror për targat e rëndomta të rajonit 01, fillon nga numri 1001 deri te numri 9999”, thuhet në UA-në e MPB-së.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk treguan arsyen e ndryshimit.
Por, eksperti i komunikacionit Menduh Halili ka thënë se vendosja e katër shifrave është e nevojshme, shkaku i numrit të madh të automjeteve.
“Numri i automjeteve të cilat janë në regjionin e Prishtinës nga organi kompetent janë gjetur se të gjithë numrat apo kodet e numrave të targave janë shfrytëzuar dhe arsyeja është që të rritet numri katërshifror”, ka thënë Halili.
Halili ka propozuar edhe ndryshime shtesë për identifikim më të lehtë të automjeteve, dhe ka sugjeruar që në targa, përveç simbolit shtetëror të Kosovës, të vendoset edhe simboli i komunës ku është regjistruar automjeti.
“P.sh, komuna e Prishtinës që e ka hyjneshën në front edhe në vend të targës, qytetarit të Prishtinës t’i vendoset një simbol i komunës ku e ka regjistruar veturën... Ky ndryshim kish me qenë më i saktë sepse organet komunale do të identifikonin edhe numrin e automjeteve të cilat janë prezente apo të cilat e shfrytëzojnë rrjetin rrugor”, shtoi ai.
Drafti i udhëzimit administrativ për përmbajtjen dhe formën e targave të regjistrimit nuk parasheh ndryshime të mëdha në pamjen aktuale të targave, ndërsa përcakton gjithsej 16 lloje të tyre, përfshirë targat civile, ato për motoçikleta, mjete bujqësore, automjete zyrtare, targat provuese, të përkohshme dhe targat për mjete me vlerë muzeore.
Në draft specifikohen edhe formatet, dimensionet dhe ngjyrat e targave, si dhe mënyra e përdorimit të tyre.