Në episodin e 48-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti Blerim Shala (Pjesa e shtatë).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShala: Fjalimi i Putinit në Munih tronditi Perëndimin në prag të pavarësisë së Kosovës
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe gazetari e aktivisti Blerim Shala kanë folur për ndryshimin e qëndrimit të Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar fjalimin e presidentit rus Vladimir Putin në Konferencën e Sigurisë në Munih si moment kyç.
Shala theksoi se deri në shkurt të vitit 2007, Rusia nuk kishte mbajtur një qëndrim të prerë kundër pavarësisë së Kosovës, duke dhënë sinjale të përziera. Sipas tij, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov madje i kishte thënë drejtpërdrejt të dërguarit ndërkombëtar Martti Ahtisaari se Kosova do të bëhej shtet i pavarur.
Ai përmendi edhe një komunikim joformal përmes gjeneralit gjerman Klaus Reinhardt, ish-komandant i KFOR-it, i cili kishte konfirmuar të njëjtin qëndrim pas një takimi me Lavrovin.
Megjithatë, sipas Shalës, situata ndryshoi rrënjësisht pas fjalimit të Putinit në Munih, i cili u konsiderua tronditës për vendet perëndimore dhe për Grupin e Kontaktit. Ky moment, sipas tij, shënoi fundin e një periudhe të “paqes së ftohtë” dhe rikthimin e tensioneve të theksuara midis Rusisë dhe Perëndimit.
Shala shtoi se pas kësaj, Rusia filloi të paralajmëronte hapur se nëse Kosova do të bëhej e pavarur, atëherë precedentët do të vlejnë edhe për rajone të tjera si Osetia, Abhazia, Nagorni0Karabakhu dhe Transnistria.
“Ai është momenti i kthesës, kur përfundon, nëse mund ta quaj ashtu paqja e ftohtë.Nëse e kemi pasë Luftën e ftohtë, pastaj e kemi pasë një marrë paqe të ftohtë midis Perëndimit dhe Rusisë, atëherë kthehet Lufta e ftohtë në kuptimin ma të keq të fjalës. Edhe Putini vazhdimisht ka thënë, nëse Kosova bëhet shtet i pavarur, nuk kam gjë kundër, po atëherë edhe Osetia edhe Abhazia, edhe Nagorni Karabahu, edhe të gjitha të ashtuquajturat konfliktet e ngrira “frozen conflicts”, mund të bëhen shtete të pavarura. Kështu që në rregull, ju po m’i çelni dyert mua që të bëj çka të dua”, tregoi Shala,
Ai theksoi se pas shkurtit 2007, nisën paralajmërimet për komplikime serioze në proces, ndërsa diskutimet kaluan në nivelin e Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku u zhvilluan përballje të forta diplomatike për statusin e Kosovës.
Surroi: Në cilindo rast, Fatmir Sejdiu është dashur ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë
Publicisti Veton Surroi dhe gazetari e aktivisti Blerim Shala kanë diskutuar në podcastin PIKË mbi rrethanat politike dhe “koincidencat historike” që përcaktuan se kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Surroi theksoi se, nëse Pavarësia do të ishte shpallur më herët, siç ishte planifikuar fillimisht, në krye të institucioneve do të ishin kryeministri Agim Çeku dhe presidenti Fatmir Sejdiu. Megjithatë, ai nënvizoi se edhe në vitin 2008, kur Pavarësia u shpall zyrtarisht, ishte Sejdiu ai që duhej ta lexonte deklaratën.
“Është interesant, kjo shtyrja... më ka rënë disa herë në mend, ka mundur të ndodhte që Agim Çeku të jetë kryeministri, i cili e lexon deklaratën, gjegjësisht Fatmir Sejdiu gjithmonë është dashtë, edhe në njërin edhe në rastin tjetër. Por, këto janë koincidencat, domethënë koincidencat historike. Për disa muaj ka mundur t’i ndodhte dikujt tjetër me qenë aty”, ka thënë Surroi.
Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçin, ndërsa Sejdiu ishte president.
Nga ana tjetër, Shala rikujtoi se në vjeshtën e vitit 2007, Ekipi i Unitetit ishte përballë dilemave të rëndësishme rreth mënyrës së shpalljes së pavarësisë. Ai theksoi se institucionet e asaj kohe kishin kaluar nëpër ndryshime të shumta, duke përfshirë disa kryeministra si Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku, si dhe ndryshime në presidencë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe zëvendësimit të Nexhat Dacit me Kolë Berishën.
Sipas Shalës, përkundër këtyre ndryshimeve, një bërthamë e qëndrueshme e delegacionit kishte mbetur e pandryshuar, përfshirë Surroin, vetë Shalën dhe Hashim Thaçi, të cilët ishin pjesë e procesit nga fillimi deri në fund.
Ai shtoi se në diskutimet e mëvonshme ishte shqyrtuar edhe mundësia që pavarësia të shpallej nga një Asamble Kushtetuese, siç ndodh shpesh në praktikat historike, ku një organ i tillë jo vetëm shpall shtetin, por edhe miraton Kushtetutën.
Shala: Serbia synonte kontroll mbi 34% të territorit të Kosovës përmes komunave të reja
Gazetari e aktivisti Blerim Shala ka zbuluar detaje nga bisedimet e Vjenës, duke theksuar përpjekjet e palës serbe për të krijuar një shtrirje territoriale më të madhe brenda Kosovës përmes formimit të komunave të reja me shumicë serbe.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se gjatë procesit negociues, edhe i dërguari ndërkombëtar Martti Ahtisaari kishte vizituar Prishtinën në gusht për të finalizuar diskutimet, veçanërisht për krijimin e komunave të reja. Një nga pikat më të ndjeshme ishte propozimi që Prilluzha të bëhej komunë më vete, gjë që pala kosovare e kundërshtonte fuqishëm.
Ai tregoi se fillimisht nuk i kishin bërë të ditura arsyet e plota Ahtisaarit, derisa më vonë i shpjeguan se zona përmban rezerva të mëdha thëngjilli, të domosdoshme për funksionimin e termocentraleve të Obiliqit. Pas këtij sqarimi, Ahtisaari kishte kërkuar që Prilluzha të hiqej nga lista e komunave të reja.
“Por nuk ia tregonim arsyet e mirëfillta Ahtisaarit pse nuk bën Prilluzhja, edhe pse plotësonte ato kriteret e UNOSEK-ut që të bëhet komunë me shumicë serbe, me numër të banorëve dhe në fund tha: ‘Mirë, pse s’po më tregoni cili është problemi?’ Kur i thamë ne është puna e rezervave të thëngjillit në Prilluzhje, të cilat janë të mëdha dhe nga të cilat varet edhe elektrana e Obiliqit, prodhimi i saj varet prej këtyre rezervave. Ai tha: Po pse s’më keni tregu prej fillimit si kështu s’isha lodhë fare”, tregoi Shala.
Shala theksoi se qëllimi i palës serbe ishte krijimi i një kontinuiteti territorial përmes lidhjes së komunave të reja dhe zonave të Kishës Ortodokse Serbe. Sipas tij, në fillim të negociatave Serbia kontrollonte rreth 24% të territorit, por përmes këtij projekti synonte të arrinte deri në 34%, ndonëse përfaqësonte vetëm 7-8% të popullsisë.
Surroi shtoi se kjo do të krijonte një zgjatim të drejtpërdrejtë të Serbisë brenda Kosovës, duke e bërë vendin të vështirë për t’u menaxhuar, në një situatë të ngjashme me Bosnjë e Hercegovinën.