Arbëri

Bislimi takon përfaqësuesit e OJQ-ve, diskutojnë për sektorin e energjisë

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të hënën kanë zhvilluar takimin e rregullt me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

Sipas një njoftimi i Zyrës për Media të Qeverisë, ky takim i është kushtuar fushës së energjisë.

“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se takimi i sotshëm i radhës sektorial, në fushën e energjisë, është përzgjedhur bazuar në kërkesat e organizatave të shoqërisë civile, por edhe për atë se tashmë është imponuar si prioritare për këtë vit. Përmes këtyre takimeve, synojmë përfshirjen e shoqërisë civile në konsultime drejtpërdrejtë me institucionet zbatuese në kuadër të reformave legjislative dhe të politikave, përpara se ato të vendosen në platformën për konsultime publike”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim theksohet se është diskutuar mbi prioritetet nga Agjenda Evropiane e Reformave, sa i përket efiçiencës së energjisë dhe objektivat mbi energjinë e ripërtëritshme për Kosovën.

Sipas njoftimi pjesëmarrësit janë ftuar të shfrytëzojnë konsultimet e rregullta në kuadër të nën-komiteteve të MSA-së si dhe platformën për konsultime publike.

“Kemi pasur takime shumë të mira në fushat e tjera si reforma e administratës publike, ambienti, shëndetësia, arsimi, çështjet e punësimit dhe ato sociale. Procesi i Integrimit Evropian, është aq kompleks dhe kërkues saqë kërkon mobilizimin e gjithë potencialit vendor, prandaj çdo ndihmë dhe kontribut është i mirëseardhur. Si Qeveri, llogarisim në përkrahjen e akterëve të shoqërisë civile, në arritjet sektoriale e jo vetëm, meqenëse para përfundimit të këtij viti, do të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se Qeveria i sheh akterët e shoqërisë civile, si partnerë në procesin e integrimit evropian, ku secila palë ka rolin e saj dhe mund të jap kontribut në hartim, monitorim, zbatim apo komunikim të reformave.​