Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kreshnik Hajrizi për gabimin: Lëndoi një vend të tërë

Kreshnik Hajrizi

Mbrojtësi Kreshnik Hajrizi ka pranuar gabimin që i kushtoi shumë Kosovës në ndeshjen ndaj Irlandës, të martën mbrëma.

Ai ndali topin me dorë në vijë të portës, duke shkaktuar penallti dhe duke u përjashtuar që në minutën e 26-të të ndeshjes me Irlandën. 

Kosova e humbi 3:0 ndeshjen përfundimtare të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.

“Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime. Sot ndiej një zhgënjim te madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua t’u kërkoj falje me gjithë zemër tё gjithë tifozëve ‘Dardanë’ që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që brohoritën, shpresuan dhe mbështeten ekipin tonë, si dhe çdo personi që e mban Kosovën në zemër. Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve te mi. Faleminderit te gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë! Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë”, ka shkruar Hajrizi në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale të mërkurën.