Mirjeta Berisha, përfaqësuese e Specialistëve të Stomatologjisë, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se janë të frustruar me diskriminimin që po iu bëhet tash e disa vjet.
Specialistët e Stomatologjisë sot kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë për mospërfshirjen në konkursin e paralajmëruar të MSH-së.
“Protesta është organizuar duke u bazuar në konkursin që është paralajmëruar për Specialistët që të sistemohen të gjithë në sistemin publik shëndetësor. Dhe ajo çfarë neve na frustroi ishte diskriminimi që na u është bërë, pasi nuk jemi të përfshirë, pra çështja e stomatologëve nuk shqyrtohet. Sot nuk kemi dalë të kundërshtojmë as ministrin apo të potencojmë dikë, por pse nuk bëhet zgjidhje, pse bëhet ky diskriminim”, ka thënë Berisha.
Ajo ka shtuar se konkurse për pranimin e Specialistëve të Stomatologjisë nuk ka pasur me vite, 5-7 vite.
“Ka pasur konkurse për stomatologë të përgjithshëm të cilët mund të punësohen, por t’i si specialist nëse dorëzon kërkesën për aplikim në konkurs dmth eliminohesh në atë pjesë sepse je staf i avancuar, pra ta mohon edhe të drejtën si specialist. Kurse pa qenë stomatolog i përgjithshëm s’mund të bëhesh specialist. Në grupin tonë ka edhe nëna vetushqyese, ka kolegë të mi që nuk kanë mundësi të investojnë, të hapin ordinancë dhe të ushtrojnë profesionin privat. Dihet se stomatologjia është e shtrenjtë”, ka thënë Berisha.
Edhe
Stomatologët në protestë, kërkojnë të punësohen në sistemin shëndetësor publik
Berisha ka treguar se çfarë ndodh me pjesën e ortodencisë në të cilën fëmijët caktojnë termin për protezë mobile edhe ai është në moshën 13 vjeçare, ku duhet të rregullohet forma, mund të ketë anomali, dhe prindi vjen e drejtohet aty.
“Çfarë ndodh me ta, presin dy vite për të marrë një aparat të thjeshtë mobil. Dhe kalojnë moshën 15-16 vjeçare dhe me automatizëm kalon në protezë fikse, pasi më s’mund të bësh zgjidhje me atë mobile”, ka thënë Berisha.
Sipas saj kjo ndodh pasi ka mungesë të stafit, radha sa janë duke pritë është me vite dhe për shkak të nevojave të qytetarëve pasi s’mund t’i kryejnë këto shërbime privat.
“Unë nuk jam kundër as pjesës që janë angazhuar, jam mirënjohëse për ata që janë angazhuar. Kemi pritur shtatë vite për të marrë një specializim dhe prapë kemi mbetur në rrugë. Edhe këta që do të hyjnë do të mbesin në rrugë”, ka thënë Berisha.
Tutje ajo ka treguar edhe se si stomatologët penalizohen me mos ushtrimin e profesionit të tyre.
“Është Ligji i Odës së Stomatologëve kur thotë se nëse brenda tre viteve nuk e ushtron profesionin t’i duhesh t’i kthehesh ritestimit dhe rilicensimit. Askush nuk i mbulon shpenzimet, e shumë kolegë mbesin pa rilincincim pasi smund ti ndjekin seminaret e konferencat e ndryshme. Është një sakrificë shumë e madhe, vetëm ai që e ka përjetuar mund ta dijë. Është shumë e papranueshme”, ka thënë Berisha.
Tutje ajo ka treguar se janë punësuar madje edhe persona pa përvojë në sistemin publik shëndetësor.
“Sa i përket pranimit nuk na kanë pranuar as në pjesën me u angazhuar as në pjesën e Inspektoratit, s’mund ta sistemosh një mjek pa asnjë vit përvojë pune”, ka deklaruar Berisha. “Esenca e gjithë kësaj është që të rritet stafi, të jenë kuadrot, ato janë të gatshme”.
Edhe
MSH-ja tash e dy vjet pa konkurs për specializim të mjekëve
E nëse nuk bëhet një zgjidhje për këto kërkesa të tyre atëherë sipas saj e vetmja zgjidhje ka mbetur largimi nga vendi.
“E vetmja mundësi që ka mbetë është që të takohemi me ministrin, nëse nuk bëhet zgjidhje kërkesa jonë e fundit do të jetë nëpër ambasada edhe të largohemi nga këtu. Nuk kemi çfarë të lypim këtu është fundi i çdo takimi”, ka thënë ajo.