COSMO

Pamundësia e gjetjes së një pune – të paragjykuar e të refuzuar

Bazuar në përgjigjet që ka ofruar Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, gjithsej janë të punësuar 82 persona me aftësi të kufizuara. Nga 15 ministri, dy e kanë plotësuar pjesërisht kuotën e punësimit, e tri ministri nuk e kanë zbatuar fare. Sipas Zyrës për Qeverisje të Mirë, në Ministrinë e Arsimit, atë të Ekonomisë dhe në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim nuk ka të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara

Ëndrra për t’iu ndihmuar e shërbyer pacientëve e shtyu Laureta Kadishanin që për shkollim të mesëm të zgjedhë drejtimin e farmacisë. Pas përfundimit të shkollës profesionale në Drenas, pajisjes me licencë të farmacisë dhe praktikës gjashtëmujore, ajo ishte e bindur se nuk do të jetë e largët dita kur do t’i ofrohej shansi që ta ushtrojë profesionin.

Por ëndrra e saj nuk u bë realitet as pas katër vjetësh pritje. Për të nuk pati një vend pune në asnjërën nga barnatoret e qytetit, përkundër përpjekjeve të shumta. Ndonëse aplikoi, u refuzua në së paku tri konkurse, pa u kontaktuar fare për intervistë.

E rruga e Laureta Kadishanit nuk ishte e lehtë. Për gati 18 vjet ajo ishte e palëvizshme. Por, një operacion në Turqi i mundësoi asaj lëvizshmëri, ndonëse të kufizuar, dhe po ashtu ia ktheu besimin se mund të nisë karrierën profesionale.

“Konkurset që janë hapur në tri barnatore, kam aplikuar, kam shkuar kam folur, më kanë thanë që të thërrasim, por nuk më kanë thirrur. Edhe kjo ka qenë, kur më thoshin të thërrasim edhe pritsha që po më thirrin e nuk më kanë thirrur, kjo për mua ka qenë shumë dekurajuese, sepse thosha pse nuk po më thirrin kur unë e kam ba tërë atë mund, tre vjet, plus praktikën dhe nuk më kanë thirrur. Çka kam unë që nuk po më thirrin? Edhe unë mund të punoj, edhe nëse punoj pak më ngadalë, mund të punoj sikur të tjerët”, ka thënë Kadishani.

Përballë pamundësisë për të punuar si farmaciste dhe me shpresën se mund të gjejë më lehtë një vend pune, Kadishani u detyrua t’ia mësyjë një profesioni të ri.

“Tash jam regjistruar në Fakultetin e Psikologjisë, jam në vitin e dytë në bachelor, edhe jam regjistruar me qëllim që në të ardhmen të gjej një vend të punës, më lehtë ndoshta”, ka thënë ajo.

Kadishani tregon se pas refuzimit nga disa barnatore private, zgjidhje nuk gjeti as te Enti i Punësimit. Meqë është përfituese e pensionit mujor që parashihet me ligjin për personat paraplegjikë dhe tetrapalegjikë, asaj iu refuzua regjistrimi si punëkërkuese.

“Kam shkuar edhe në Ent të Punësimit, kam kërkuar punë dhe më kanë thanë që nuk mund të punosh, shkaku i pensionit... Ata kanë thanë që do të ndalet pensioni nëse hyn në punë, automatikisht kanë thanë që ndalet nëse hyn në punë”, ka thënë 22-vjeçarja.

Përveç Kadishanit, KOHA ka biseduar edhe me disa persona të tjerë me aftësi të kufizuara, e që mbrapa kamerës kanë treguar se pavarësisht përgatitjes profesionale nuk kanë arritur të sigurojnë një vend pune.

Një kërkesë për punësim, dy javë më parë iu shtrua direkt kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës që i bëri shoqatës “HANDIKOS”. Një nënë që ka fëmijën me aftësi të kufizuara, i kërkoi kryeministrit që djalit t’i ofrohet një vend pune në institucion publik.

“Me ma punësu djalin diku në ndonjë punë të shtetit se përndryshe në privat nuk ka shanse. Djali për çdo ditë më del në rrugë. Unë si nënë e kam zemrën e djegur se a ma shkel kerri, a ma han qeni, non-stop me e mbajt në mendje. Ky me e gjet një punë kish me qenë edhe për ne prindërve më lehtë”, ka thënë Lumnije Bojku.

Ajo pret që të realizohet zotimi i kryeministrit, i dhënë në prani të dhjetëra medieve, kur deklaroi se djalit të saj do t’i gjendet një vend i përshtatshëm pune.

Por mundësinë që kërkesën t’ia shtrojnë direkt kryeministrit, si Bojku nuk e kanë të gjithë personat me aftësi të kufizuara.

Andaj 22-vjeçarja Laureta Kadishani, që përdor karrocën dhe patericat për të lëvizur, u bën thirrje institucioneve që personat me aftësi të kufizuara të mos paragjykohen e diskriminohen.

“Thirrja ime kish me qenë që të na pranojnë edhe neve në vendet e punës, se edhe ne mundemi me punu sikur krejt të tjerët, mos me na u ndalu disa sene se edhe ne jemi si të tjerët, edhe pse kemi pak kufizime, ne mundemi me punu”, është shprehur Kadishani.

Obligimi që kanë institucionet publike e ato private

Nga viti 2009, Kosova ka një ligj të veçantë që obligon institucionet publike dhe private që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuara.

Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara obligon punëdhënësin që nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 për qind të shumës së pagës minimale.

Punësimi i personave me aftësi të kufizuara parashihet edhe me ligjin për zyrtarët publikë, i miratuar më 2023. Ky ligj obligon që edhe ato institucione publike me më pak se pesëdhjetë të punësuar të punësojnë së paku një person me aftësi të kufizuara.

Por zbatimi i të dy ligjeve në praktikë nuk është në nivelin e kënaqshëm sipas shoqatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara.

Behxhet Binaku, drejtor i shoqatës “HANDIKOS” në Drenas, thotë se punësimi i personave me aftësi të kufizuara është një problem i theksuar në tërë Kosovën, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Ai thotë se refuzimi për t’i angazhuar në punë i dekurajon ata. 

“Një ndër problematikat, përveç paragjykimeve që persona ma aftësi të kufizuar ballafaqohen në aspektin të punësimit, ku kompanitë domethënë hezitojnë me i pranu personat të cilët kanë kufizime theksuara, po flasim për kufizime fizike ose personat që janë përdorues karrige me rrota, është problematikë edhe kushtet në vend pune. D.m.th., edhe pse në aspektin ligjor kanë obligime të krijojnë infrastrukturë të përshtatshme kur pranojnë persona me aftësi të kufizuara, kjo situatë në Kosovë është shumë problematike, për arsye se mungon interieri, mungon d.m.th. ambienti i përshtatshëm kur një person, për shembull, përdorues i karriges me punu në kompani”, ka thënë Binaku.

Binaku thotë vështirësitë shfaqen edhe pas momentit kur personat me aftësi të kufizuara arrijnë të punësohen.

“Personi ka nevojë për ta asistuar në aspektin fizik, në aspektin fiziologjik, në aspektin teknik, në aspektin e teknologjisë që punon dhe kjo krejt m‘varet nga kolegët që punojnë me të, por ai nuk ka, nuk e ka të rregulluar situatën e asistencës. Dmth, nga familja vjen shpeshherë me makinë dhe duhet me dalë me e marrë, me vendos karrigen, me vendos në vendin e punës, me siguru ushqimin, mandej në aspektin fiziologjik dhe dmth kjo është e parregulluar në përgjithësi në Kosovë dhe nuk mund të flitet për mendimin tim për me rregullu çështjen e punësimit, derisa nuk janë edhe pjesë të tjera, asistenca në vendin e punës, interieri, ambienti, përshtatshmëria, dhe shumë gjëra të tjera, dmth e përjashtojnë personin me aftësi të kufizuara që punon diku në institucione”, ka thënë Binaku.

Paragjykimi i madh

Ai kërkon nga institucionet që para se të hapin konkurset të plotësojnë kushtet e punës dhe të krijojnë ambiente të përshtatshme.

“Kompanitë, punëdhënësi, punëmarrësi do të duhet të kenë analiza reale në mënyrë që personi me aftësi të kufizuar kur aplikon në një institucion ose në një kompani, praktikisht kompania do të duhej të ketë parakushte dhe do të duhet të ketë informacione se çfarë do të bëjnë për atë person, si do të akomodohet në atë kompani, cilat janë mundësitë për me pranu, cilat janë obligimet edhe në situata të tilla, e kur s'ka ambiente të përshtatshme mendoj se duhet me fillu monitorimi edhe sanksionimi i kompanive”, ka thënë Binaku.

Një tjetër faktor që ndikon në mospunësimin e personave me aftësi të kufizuara, sipas drejtorit të ANDIKOSIT në Drenas, vazhdon të jetë prania e paragjykimeve.

“Unë jam skeptik domethënë në këtë drejtim, për arsye se praktikat kanë tregu se nuk është problemi domethënë i nivelit të arsimimit, por është problemi që ne ende kemi paragjykime për personat me aftësi të kufizuara, ende i trajtojmë ata që më shumë janë barrë e kompanive, institucione, sesa që kompania përfiton prej tyre dhe ky është një problem, i cili ende në shoqërinë tonë nuk është kaluar”, ka thënë Binaku.

Bujar Kadriu, drejtor i Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuara, thotë se ligji nuk zbatohet për shkak se ka mungesë të monitorimit nga Inspektorati i punës. Ai kërkon shtim të kontrolleve tek institucionet publike dhe private.

“Inspektorati i punës duhet të ketë monitorim strikt edhe tek institucionet publike, sidomos tek ministritë e linjës, komunat, të cilat praktikisht të punësojnë staf apo punëtorë në sektorin publik, si shërbyes civilë, apo varësisht prej fushës të cilët ata kanë interesa për të punësuar persona  të ndryshëm, duke përfshirë këtë rast persona me aftësi të kufizuara. Prandaj, monitorimi nuk duhet të fokusohet vetëm në sektorin publik, por monitorimi duhet të theksohet edhe në sektori privat, në mënyrë që ky ligj të ketë zbatueshmërinë e duhur”, ka thënë Kadriu.

E mungesa e monitorimit nga inspektorati, ka bërë që çështja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara të ngelet në “mëshirën” e punëdhënësve.

“Nuk ka monitorim të mirëfilltë. Nuk ka sanksionim të kompanive, të cilat nuk përmbushin këtë nevoja, dhe praktikisht kjo situatë u lejohet të ndodhë kompanive ose institucioneve nën mëshirën se sa ata e ndiejnë aspektin e mirëqenies ose të empatisë për personat me aftësi të kufizuara, por jo obligime ligjore”, ka thënë drejtori i shoqatës “Handikos” në Drenas.

Drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome”, Sebahate Hajdini, thotë se në Kosovë janë rreth 1 mijë persona me këtë sindromë. Ajo tregon se në nivel vendi, janë të punësuar rreth 30 persona. Përjashtim njërit, të gjithë të punësuarit janë angazhuar në sektorin privat.

“Vetë fakti që nga numri i të punësuarve kemi vetëm një të punësuar, në përjashtim që i kemi edhe tre anëtarë të tjerë po të cilët janë me angazhim të praktikës në institucione publike, dëshmon që ende nuk e kemi një gatishmëri apo më mirë të them që institucionet publike nuk janë model sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar në raport me institucionet private. Përderisa po flas vetëm për komunitetin me Sindromën Down, sepse nuk kemi të dhëna të sakta sa iu përket edhe qytetarëve të tjerë me aftësi të kufizuara të tjera, ky fakt flet më shumti që janë institucionet private ato të cilat po japin shembuj më të mirë sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar”, ka thënë Hajdini.

Sektori privat më i hapur sesa ai publik për personat me aftësi të kufizuara

Hajdini kërkon nga institucionet që t’u japin përparësi personave me aftësi të kufizuara në ato vende pune ku ata ndihen mirë dhe mund të jenë produktivë.

“Institucionet publike, qoftë ato të nivelit qendror apo të nivelit lokal duhet të trajtojnë edhe me shumë prioritet edhe çështjen e përshkrimit të detyrave të punës, sepse ne kemi, ta them edhe disa sfida të tjera, të cilat paraqiten edhe brenda llojeve të aftësisë së kufizuar. Në theks të veçantë po flas për qytetarët me aftësi të kufizuar intelektuale, ku një pozitë e cila planifikohet për personat me aftësi të kufizuara intelektuale duhet të jetë një pozitë që krijon kushte dhe mundësi ta them që personi me aftësi të kufizuar intelektuale të ndihet produktiv dhe të ndihet i vlefshëm brenda institucionit ku ai është i punësuar, sepse nuk është qëllimi vetëm të numërohen në numra se sa janë të punësuar, mirëpo është shumë e rëndësishme që çdo qytetar me aftësi të kufizuar të jetë i dobishëm dhe të ndihet mirë për punën që ai bën”, ka thënë Hajdini.

Edhe Bujar Kadriu, drejtor i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar thekson se personat me aftësi të kufizuara e kanë derën më shumë të hapur në institucione private, sesa në ato publike.

“Kohëve të fundit ka edhe një rritje, domethënë një rritje të përgjithshme sa i përket punësimit të personave më aftësi të kufizuara. Kompani të ndryshme tash që kanë hapur thirrje të ndryshme, sidomos konkurset, edhe me fokus të veçantë kanë kërkesa të veçanta për punësimin e personave më aftësi të kufizuara. Por, kjo nuk do të thotë që institucionet shtetërore kanë bërë një iniciativë të tillë, pra, sidoqoftë, në kuptimin e sektorit privat ka një inkurajim sa i përket zbatimit të ligjit në fjalë”, ka thënë Kadriu.

Në ato pak raste kur personave me aftësi të kufizuara u është dhënë mundësia, ata kanë arritur të thyejnë paragjykimet e shoqërisë, duke dëshmuar potencialin dhe përkushtimin për punë.

“Deri më tani mendoj që si shoqatë, mirëpo edhe anëtarët tanë kanë arritur të thyejnë shumë paragjykime sa i përket dhe potencialit të personave me Sindromën Down në ato vende ku janë angazhuar, qoftë përmes angazhimit për punë praktike apo punësimet, mendoj që kanë treguar mjaft sukses dhe kanë arritur që t'i kryejnë ato përgjegjësi që janë caktuar brenda institucionit ku ata janë të angazhuar... Anëtari ynë, po mendoj i cili është pjesë e KOSTT-it tash e një periudhë të gjatë, ta them, është i angazhuar në formatin e angazhimit praktik dhe përderisa ai po tregohet, ta them i zellshëm në përgjegjësitë që atij i janë caktuar brenda KOSTT-it, do të thotë është edhe kjo, ta them, dëshmia që ai është treguar i suksesshëm dhe po i ofrohet mundësi që ai të vazhdojë të jetë ende pjesë e KOST-it”, ka treguar drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome”.

KOHA ka pyetur Qeverinë dhe secilën ministri se sa është numri i personave me aftësi të kufizuara të punësuar në këto institucione.

Bazuar në përgjigjet që ka ofruar Zyra për qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, gjithsej janë të punësuar 82 persona me aftësi të kufizuar. Nga 15 ministri, dy e kanë plotësuar pjesërisht kuotën e punësimit, e tri ministri nuk e kanë zbatuar fare. Sipas Zyrës për qeverisje të mirë, në Ministrinë e Arsimit, të Ekonomisë dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim nuk ka të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara.

E në Ministrinë e Bujqësisë, në përgjigjen e dhënë për KOHËN kanë njoftuar se 3 është numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara. Por kjo e dhënë nuk përputhet me ato që ka ofruar Zyra për qeverisje të mirë, e cila në përgjigje ka deklaruar edhe pesë më shumë.

Lidhur me zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, KOHA ka pyetur edhe në Inspektoratin e Punës. Në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet për rastet kur punëdhënësit janë ndëshkuar, e as nëse punëdhënësi që nuk ka të punësuar persona me aftësi të kufizuara ka dhënë kontributet mujore në lartësi prej 1% të shumë së pagës minimale.