Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Beqa për rrahjen në Kuvend: Murati i mori të padëmtuara syzet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, i përfshirë në rrahje në Kuvend javën e kaluar, ka deklaruar se ministrit të Financave, Hekuran Murati, që gjithashtu ishte përfshi në rrahje, nuk i ishin thyer syzet.

Beqa, që në pamje shihet kur ia rrëmben Muratit syzet dhe e godet me to, deklaroi para mediave të martën se Murati ishte kthyer në Kuvend më pas me syze të vendosura pa ndonjë problem.

“Syzet i ka marrë zotëri Murati të padëmtuara dhe ka ardhur pas një kohe të caktuar i ka vendosur dhe me ato syza ka vazhduar ditën atë ditë”, u shpreh ai.

Deputeti i partisë opozitare ka thënë se rrahje në Kuvend ishte orkestruar nga zëvendësministri Bisnik Bislimi, derisa shtoi se ishte “është në kundërshtim me të gjitha ligjet kushtetutën dhe rregullore”.

“Nuk ka pasur gjakra të nxehta. Ju e dini që jemi një sistem parlamentar e kemi një kushtetutë dhe e kemi një rregullore të kuvendit dhe atë çfarë ka bërë një anëtarë i Qeverisë së Kosovës, respektivisht zëvendësministri u pa që ka qenë e orkestruar dhe është në kundërshtim me të gjitha ligjet kushtetutën dhe rregullore. Nuk ka të drejtë një zëvendësministër me u mundu me ndal një mjet protestues të një deputeti, e aq më shumë të opozitës. Nuk ka ndodhur të sulmohet opozita në shtetet demokratike. Është hera e parë që sulmohet opozita nga Qeveria. Kjo ndodh, mund të ndodh te Kim Jong apo diku tjetër, por jo në Kosovë dhe këtë nuk do ta tolerojmë as deputetët e as qytetarët e vendit”, ka thënë Beqa.

Edhe Prokuroria interviston dy deputetë të PDK-së e dy anëtarë të Qeverisë për rrahjen në Kuvend Arbëri Prokuroria interviston dy deputetë të PDK-së e dy anëtarë të Qeverisë për rrahjen në Kuvend

Ndërsa, ai bëri thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi sipas Beqajt, Qeveria s’i ka numrat për të vazhduar më tutje.

“Ne mendojmë që kjo Qeveri nuk i ka numrat për me vazhdu më tutje dhe ka dështuar. Dhe mendojmë që është për të mirën e vendit që sa më shpejtë të shkojmë te qytetarët dhe ta marrim besimin prej fillimit. Mendoj që nuk ka kredibilitet më Kuvendi i Republikës së Kosovës e as Qeveria, sidomos pas përgjimeve që pam ditëve të fundit mes shefes së grupit parlamentar të LVV dhe kryekriminelit Rajdoqiq, përfaqësuesit të Listës Serbe, Simiqit. Mendoj që nuk ka kredibilitet më shumë. Ne e pamë që ai koordinimi çfarë ndodhi në përgjime, në audio incizimin për pagat e veteranëve, ndodhi në realitet. Ne e pamë çfarë dëmi ju ka bërë qytetarëve tonë me dy veprime sidomos në Institutin për krime të luftës dhe me pagat për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i fyejnë qytetarët, i fyejnë vlerat dhe mendoj që është momenti i fundit se kjo Qeveri duhet me u dorëzu para qytetarëve dhe me dal me ofertë të re. Fatkeqësisht kjo është dorëzuar por është dorëzuar para Serbisë”, tha ai.