Për rrahjen që ndodhi një ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka intervistuar në cilësinë e të dyshuarit zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtakun e Hajdar Beqën. Ndërsa në cilësinë e të dëmtuarit e ka intervistuar Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Për rastin e rrahjes, PDK-ja dhe LVV-ja e ia hodhën fajin njëra-tjetrës
Dy deputetë e dy anëtarë të Qeverisë i janë nënshtruar intervistimit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për rrahjen e që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës. Burime të Kohës kanë thënë se nga Qeveria, në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa në cilësinë e të dëmtuarit ministri i Financave, Hekuran Murati. E nga deputetët e Partisë Demokratike si i dyshuar është intervistuar Hajdar Beqa, ndërkaq Mërgim Lushtaku, si i dyshuar dhe si i dëmtuar. Në një paraqitje para mediave, pas intervistimit, avokati i Lushtakut, Faton Fetahu ka thënë se të gjitha veprimet në Kuvend, klienti i tij i ka bërë në vetëmbrojtje.
“Në rrethanat e rastit konkret veprimi i tij ishte si një kundërpërgjigje ndaj skandalit që ka ndodhur dhe që nuk mori përgjigje zotëri Lushtaku. Në tensionin që ata reflektonin, veçanërisht pas provokimit të situatës nga Bislimi që e hoqi fotografinë e vendosur nga deputetët. Ky është rasti i parë i një anëtari të qeverie që ndërhynë në sallën e Kuvendit”, ka thënë Fetahu.
Ndërkaq, deputeti Hajdar Beqa është shprehur se gjatë seancës ka tentuar vetëm ta parandalojë përshkallëzimin e situatës, ndonëse është parë duke goditur disa herë ministrin Murati. Beqa ka thënë se ndihet totalisht i pafajshëm dhe se i gjithë sulmi i së enjtes ka qenë skenar i kryeministrit Albin Kurti e zëvendësit të tij, Besnik Bislimi.
Murati i ka cilësuar të planifikuara veprimet e PDK-së
Por, deputetëve të PDK-së u është kundërpërgjigjur ministri Hekuran Murati. Ai i ka quajtur veprime të planifikuara ato të PDK-së, duke thënë se pret që Prokuroria t’i shohë ato nga prizmi i njëjtë.
“Se a ishte rasti i djeshëm vetëm aksion simbolik e spontan i një deputeti, apo veprim i paramenduar e i planifikuar nga PDK-ja, e dëshmon fotoja më poshtë. Se kush kë e sulmoi, qytetarët e kanë parë në video. Shpresoj që edhe hetuesia e prokuroria të kenë parë videot e njëjta që panë qytetarët”, ka thënë Murati.
Gjatë përleshjes, duke goditur është parë edhe deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, të cilin Koha ka provuar ta kontaktojë por ka qenë i pa qasshëm. Nga Prokuroria e Prishtinës nuk janë përgjigjur në pyetjet e Kohës se sa persona deri më tash i kanë intervistuar, vetëm janë shprehur se janë duke i marrë deklaratat e palëve të përfshira në rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime me qëllim të sqarimit të plotë të kësaj çështjeje dhe në kuadër të tyre janë duke u marrë deklaratat e palëve të përfshira në këtë rast. Veprimet hetimore po vijojnë të ndërmerren në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, andaj për epilogun e tyre do të njoftoheni me kohë”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë.
Juristët: S’ka imunitet për deputetët që përdorën dhunë
Deputetët dhe anëtarët e Qeverisë nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale dhe nga përballja me padi civile për situatat sikur rrahja masive e së enjtes, kanë theksuar njohës të drejtësisë. Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se me sjelljet sikur janë parë një ditë më parë, ata dalin jashtë veprimtarisë së përcaktuar me ligj.
“Të gjitha sjelljet, veprimet që i kemi parë dje gjatë seancës plenare, së paku në bazë të Kodit Penal, së paku në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të hyjnë në kuadër të konsumimit të veprave penale”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka shtuar se sjellja e djeshme e deputetëve zëvendëskryeministrit e ministrave disa nga të cilët janë edhe profesorë në universitete, sipas tij, tregon se përfaqësuesit politikë kanë probleme serioze në të kuptuarit e demokracisë.
“Kuvendi i Kosovës është tempulli i demokracisë. Në Kuvend deputetët janë aty për të miratuar ligje e politika. Kanë të drejtë që të diskutojnë, kanë të drejtë që të debatojnë, por në asnjë rrethanë nuk kanë të drejtë që të përleshen fizikisht mes vete”, ka shtuar ai.
Rregullorja e Kuvendit parasheh pesë lloje të masave që mund të ndërmerren ndaj deputetëve që përdorin gjuhë joparlamentare apo me sjelljet e tyre pengojnë zhvillimin e seancës plenare ose e cenojnë rregullin e saj. Masat kanë të bëjnë me tërheqjen e fjalës, ndërprerjen e fjalës, vërejtjen, vërejtjen me paralajmërim për largim nga seanca plenare, largimin nga seanca plenare që shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me kompensimin për një seancë plenare.
Në Kuvend nuk kanë kthyer përgjigje nëse deputetëve të përfshirë në përleshjen fizike u është shqiptuar apo do t’u shqiptohet ndonjë masë apo vërejtje.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se sjelljet e së enjtes të deputetëve e anëtarëve të Qeverisë do t’i kushtojnë Kosovës në aspektin ndërkombëtar.
“Nuk ishte e mirë as për imazhin e Kosovës dhe as për partnerët tanë ndërkombëtarë. Ishin hapa mbrapa në zhvillimin e demokracisë parlamentare për një shtet të ri si Kosova e cila po synon të dëshmojë që është një shtet serioz në arenën ndërkombëtare. Pa dyshim që pamjet dje ishin hapa mbrapa në këtë drejtim”, ka thënë Haxholli.
Ajo ka shtuar se me veprimet e tilla, përveç që deputetët e ministrat do të humbin politikisht, do të bien edhe pritshmëritë e qytetarëve nga ta dhe nga institucioni i Kuvendit e Qeverisë.
“Qytetarët e Kosovës nga Qeveria dhe deputetët presin politika zhvillimore e nga opozita presin alternativa kundrejt Qeverisë dhe dhuna nuk prodhon rezultat pozitiv për këto subjekte politike. Kuvendi i Kosovës duhet të shërbejë si institucion i mirëfilltë ku zhvillohet debat i mirëfilltë për ligje dhe tema të cilat janë në interes të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Përleshja në seancë plenari nisi kur kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim dhe deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të tij. Më pas, zv.kryeministri Besnik Bislimi e ka gjuajtur Lushtakun me shishe, veprim pas të cilit deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike, dhe numri i tyre nga pamjet e shfaqura në televizion nuk kufizohet në vetëm katër.
VIDEO E RRAHJES: