Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka shprehur përkrahjen e shtetit të Shqipërisë për Kosovën si dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ai në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ka theksuar se e vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as të ndyshohet.
“Sepse liria ka emër, liria meriton respekt, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në, me komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, me qytetarët e Kosovës, me dhimbjet e tyre. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, Shqipëria qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën”, është shprehur Begaj.
Ai ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet e as të shkruhet pa emrat e ish-peridentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi e ish-deputetit Rexhep Selimi.
“Mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, është shprehur Begaj.
Sipas tij ata po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Speciale.
VIDEO: Fjalimi i plotë i Begajt
“Ata që dje e udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar”, ka thënë ai duke shtuar se ata do të jenë gjithmonë memorie shtetërore e kombëtare.
Tek ka përmendur familjen e komandantit legjendar Adem Jashari, ish-pertinentin Ibrahim Rugova, veprimtarin Adem Demaçi, Begaj ka thënë se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran.
“Kosova ishte vend ku liria vritej, sot është vend ku liria funksionon, ku liria frymëzon”, është shprehur Begaj.
Ai ka thënë se Kosova meriton anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, NATO e Bashkimin Evropian dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare.
“Ne jemi një komb që rreh në dy shtete, Shqipëria është shtëpia juaj, ashtu si Kosova shpirti ynë ... Nuk mund të ketë Evropë të plotë pa një Kosovë të barabartë në mes të të barabartëve, Shqipëria do të jetë një zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare derisa flamuri i saj të valvitet në OKB dhe në NATO, Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe heqjen e çdo mase kufizuese”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo do të jetë garanci për stabilitet në rajon dhe më gjerë.