Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja thotë se po punon intensivisht për të gjetur zgjidhjen për targat

Peter Stano

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në konferencë për media, ka thënë se BE-ja është duke u angazhuar në mënyrë intensive për të gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, por edhe për çështje tjera të hapura.

Stano ka thënë se nuk nevojitet një përshkallëzim i situatës në terren, pasi do të ishte në dëm si të Kosovës ashtu edhe Serbisë.

“Ne kurrë nuk heqim dorë, ne gjithmonë jemi të angazhuar në emër të rendit dhe njerëzve. Pasi qytetarët janë ata që do të paguajnë çmimin nëse çështjet nuk zgjidhen dhe ka përshkallëzim. Kështu që Be-ja vazhdon të angazhohet. Është roli i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell dhe i emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, që po angazhohet në mënyrë intenzive, dhe po mundohemi të gjejmë, së bashku me partnerët tanë, një zgjidhje për çështjen që nuk është zgjidhur si duhet. Ka disa ditë deri më 1 nëntor, dhe po punojmë intenzivisht”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog dhe të bëjnë kompromise.

“Ne kemi thënë shumë herë, se është me rëndësi që të parandalohet çdo hap që çon te përshkallëzimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë, pasi nuk i duhet askujt kjo. Duhet më tepër progres dhe që të shtyhet dialogu para. Po punojmë me Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Serbisë, së bashku me partnerët tanë, për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të dhunshëm. Prioritet për dy vendet është të ecin para drejt BE-së. Duke krijuar tensione, duke mos i zgjidhur çështjet, duke mos diskutuar, duke mos arritur marrëveshje, duke mos pasur vullnet për kompromis, nuk do të arrish atje”, ka thënë Stano.

Ai ka shtuar se nga Qeveria e re e Serbisë, pret që të ketë angazhim më të madh për të implementuar reformat e nevojshme, e po ashtu ta rreshtojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së.