LAJMET E MBRËMJES

Në prag të nisjes së shqiptimit të gjobave, BE-ja bën thirrje për sjellje evropiane

Çështja e targave nuk ka marrë zgjidhje, në kohën kur kanë mbetur pak orë përpara se të hyjë në fuqi afati i ri për shqiptimin e gjobave ndaj ngasësve të automjeteve me tabela ilegale të Serbisë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviq, nisën pasdite një takim në Bruksel, por deri tash nuk është kumtuar për ndonjë rezultat.

Në Bashkimin Evropian shprehën synimin për një rrugëdalje nga situata e tashme.

“Ne presim sjellje evropiane nga të dyja palët, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje evropiane dhe një rrugëdalje evropiane nga situata aktuale e krizës, krizës më të madhe që kemi parë ndër vite në raportet mes partnerëve”, ka theksuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistojnë se zgjidhja e problemit të targave ilegale në Kosovë kërkon më shumë kohë.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se kjo çështje duhet të shtyhet deri në një vit, në mënyrë që t’i lihet hapësirë për trajtim të çështjeve më të rëndësishme.

“Është e nevojshme të zgjidhen problemet dhe të kemi një zgjidhje afatgjate, të ketë perspektivë për serbët që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që serbët në Kosovë ta dinë se si do të jetë jeta e tyre. Kosova gjithashtu duhet të ketë perspektivën e një pozicioni ndërkombëtar”, ka theksuar Hill.

Angazhimi i ndërkombëtarëve për gjetjen e një zgjidhjeje është rritur pas kërcënimit të serbëve me përshkallëzim të situatës në veri, me t’u shqiptuar gjobat e para për targat.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata është e tensionuar në veri, por e mohoi se ajo është pasojë e vendimeve të Qeverisë. Sipas tij, tensionet burimin e kanë tek strukturat kriminale në këtë pjesë.

“Arsye tjetër janë propozimet për marrëveshje të cilat, siç duket, nuk janë të pranueshme për Serbinë dhe këto grupe ekstremiste ai i shfrytëzon t’i bëjë në fokus të opinionit publik, në çështje të tjera. Dhe targat janë marrë si pretekst, por edhe ky është një vendim i ligjshëm, i arsyeshëm”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri Sveçla tha se për menaxhimin e situatës autoritetet janë në koordinim me EULX-in e KFOR-in. Të dyja misionet ndërkombëtare kanë rritur praninë në veri prej fillimit të muajit, kur qytetarët serbë nga katër komunat në veri braktisën Policinë, por edhe institucionet e tjera qendrore e lokale.