Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dita e fundit për marrëveshje për targat, kryenegociatorët takohen në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen të mërkurën në Bruksel në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshje mbi targat, para se Kosova të nisë të dënojë pronarët e veturave me targa ilegale.

KOHA ka mësuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tashmë është nisur drejt Brukselit. Ai pritet të takohet me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

S’është bërë e ditur agjenda.

Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka fajësuar sidomos Kosovën për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kosova e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Edhe Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, takim urgjent të mërkurën në Bruksel Arbëri Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, takim urgjent të mërkurën në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.