Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE: EULEX-i po asiston ekspertët e Kosovës, por nuk bën hetime të veta në Zubin-Potok

VARRI - MASIV - Zubin - Potok

Foto: Associated Press

Bashkimi Evropian ka thënë se zbardhja e fatit të të pagjeturve në Kosovë është një prej elementëve shumë të rëndësishëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe BE-ja po ashtu asiston edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Po ashtu, sipas një zëdhënësi të BE-së, ekspertët nga EULEX-i kanë asistuar kolegët e tyre nga Kosova edhe në hetimet e fundit në Zubin-Potok.

Këto përgjigje i ka dhënë një zëdhënës i BE-së duke u përgjigjur në pyetje nëse BE-ja dhe Serbia janë duke ndihmuar në rastin konkret për të zbuluar fatin e të pagjeturve dhe varrezën potenciale masive në veri të Kosovës.

“Ne konfirmojmë se me 28 korrik ekspertët e mjekësisë ligjore të Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it kanë asistuar kolegët e tyre nga Instituti kosovar i Mjekësisë Ligjore në vlerësimin e lokacionit me qëllim të identifikimit të varrezës së pashënjuar me persona të zhdukur në Zubin Potok“, ka thënë zëdhënësi.

“EULEX-i nuk është duke kryer asnjë lloj të hetimeve penale të cilat janë kompetencë e autoriteteve të Kosovës. Ndihma për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur nga konflikti mbetet një element shumë i rëndësishëm i dialogut të lehtësuar nga BE-ja“, thuhet më tej.

Edhe UNMIK-u: Bashkëpunimi Prishtinë-Beograd është kyç për zbardhjen e fatit të të zhdukurve Arbëri UNMIK-u: Bashkëpunimi Prishtinë-Beograd është kyç për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

“Komisioni i përbashkët për personat e pagjetur, i themeluar në bazë të Deklaratës nga viti 2023 dhe i kryesuar nga i Dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, ekziston pikërisht për të mbikëqyrur implementimin e kësaj Deklarate, të ndihmoj në sqarimin e fatit e personave ende të pagjetur dhe për të sjell një përmbyllje për familjet dhe të dashurit e tyre“, thuhet më tej në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.

“BE ka dhënë ndihmë financiare për Institutin kosovar të Mjekësisë Ligjore në mbështetje të këtyre përpjekjeve” thuhet në fund të kësaj përgjigjeje.