Përpjekjet për të zbardhur fatin e personave që ende rezultojnë të zhdukur nga konflikti në Kosovë duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të përqendruara te viktimat dhe familjet e tyre, ka deklaruar Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due. Ai tutje ka deklaruar se bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Beogradit është kyç për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, Due tha se, pavarësisht përparimit të bërë, shumë familje vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e të afërmve të tyre.
“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë”, tha Due, bëhet e ditur në një komunikatë dërguar mediave.
Sipas UNMIK-ut, më shumë se 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë. Zbulimi i fundit i mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet se u përkasin së paku 23 individëve, sipas UNMIK-ut, tregon se edhe pas dekadash përgjigjet për fatin e të zhdukurve mund të gjenden.
Due shprehu solidaritet me familjet që prej vitesh presin informacione për të afërmit e tyre dhe theksoi nevojën që të drejtat dhe nevojat e tyre të mbeten në qendër të përpjekjeve.
“UNMIK-u do të vazhdojë përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe formave të tjera të mbështetjes për këto familje”, tha ai.
Shefi i UNMIK-ut bëri gjithashtu thirrje për zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së mbi personat e zhdukur, vazhdimin e punës përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), si dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.
Kjo ditë shënon edhe 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.
UNMIK-u ka përsëritur se do të vazhdojë të mbështesë familjet e personave të zhdukur në përpjekjet e tyre për të realizuar të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.