Arbëri

BE: Dorëzimi i pushtetit në veri pa probleme, hap drejt angazhimit konstruktiv

Bashkimi Evropian / Kosova

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen, dorëzimin e pushtetit pa probleme në katër komunat në veri në Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan. 

Në një postim në faqen në Facebook thuhet se BE-ja e mirëpret këtë hap. 

“Sot kuvendet komunale dhe kryetarët e komunave morën detyrën në 20 komuna të Kosovës pas zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse. BE-ja në Kosovë mirëpret dorëzimin pa probleme të qeverisjes komunale, duke përfshirë edhe 4 komunat veriore. Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, thuhet në postim.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot janë mbajtur seancat konstituive në të cilat kryetarët nga Lista Serbe e kanë marrë pushtetin nga kryetarët shqiptarë. 

Kryetarët e rinj janë betuar në sallat e kuvendeve komunale në të cilat kanë qenë të vendosura simbolet shtetërore të Kosovës.