Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë shprehur mbështetje të fuqishme propozimit evropian për normalizimin e raporteve midis Kosovës e Serbisë, në samitin e jashtëzakonshëm që përfundoi të premten. E burime evropiane thanë se deklaratat publike dhe kushtet e vëna nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ndihmojnë organizimin e një takimi të radhës, në nivel të lartë, në Bruksel
Liderët e vendeve anëtare të BE-së i kanë shprehur mbështetje të fuqishme propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në samitin e fundit që ka përfunduar të premten në orët e hershme të mëngjesit, në orën 3 pas mesnate.
Në këtë samit ishte diskutuar më së shumti për çështjen e migrimit, për situatën në Ukrainë, por edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Mbështetja për propozimin evropian është shprehur përmes konkluzave, por edhe në debat që është zhvilluar në mes të liderëve të BE-së. Për këtë, sipas burimeve diplomatike, ka folur përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, por edhe liderët nga Gjermania, Italia, Franca e disa shtete të tjera.
Sipas diplomatëve, porosia është e qartë: duhet të avancohet drejt pranimit të kësaj marrëveshje, por duhet edhe pa kusht që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara, e për Kosovën porosia vlen sidomos për të shprehur gatishmëri për themelimin e Asociacionit.
Sa i përket takimit në nivel të lartë, burimet evropiane kanë thënë se ka një plan që sa më parë të takohet Kurti e Vuçiq, por deklaratat e fundit publike të këtyre dyve, ku parashtrojnë kushte, nuk ndihmojnë që një takim i tillë edhe të organizohet. Prandaj, burimet diplomatike thonë se ky takim do të organizohet sapo ata të dy të jenë gati dhe kur të ketë shenja të qartë se në takim do të ndodhë ndonjë rezultat konkret.