Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, u ka kërkuar ndërkombëtarëve që ta rrisin trysninë mbi Serbinë për të treguar vendndodhjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
“Të nderuar miq tanë ndërkombëtarë, Serbia, përveç se ka kryer gjenocid dhe ka vrarë mbi 10 mijë civilë të pafajshëm, edhe 26 vite më pas po i vret çdo ditë qytetarët tanë duke mos treguar për fatin e të zhdukurve me dhunë. Prandaj ju lusim të rrisni trysninë ndaj shtetit të Serbisë për të përmbushur këto detyrime me urgjencë, sepse para së gjithash është detyrim moral e njerëzor, por edhe obligim ndërkombëtar”, ka thënë ai të shtunën para nisjes së seancës konstituive.
Duke e vlerësuar si një nga plagët më të rënda për vendin, Basha ka kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve.
“Kërkojmë me vendosmëri ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve për këto krime dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje Serbisë që t’i përmbushë zotimet ndërkombëtare, përfshirë atë të Aneksit të Ohrit të datës 18 mars 2023 dhe Deklaratën e Përbashkët të 2 majit 2023, duke treguar vendndodhjen e të zhdukurve me dhunë si dhe duke hapur arkivat shtetërore, në bashkëpunim me Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur, i themeluar në dhjetor të vitit 2024, që mundëson identifikimin dhe kthimin e të gjithë të zhdukurve me dhunë tek familjarët e tyre”, përfundoi ai.