Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Basha i VV-së i reagon Haradinajt për Mujecin, sulmon Prokurorinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i ka reaguar kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të mërkurën ka kërkuar nga kryeministrit Albin Kurti që të deklarohet për rastin e asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, i cili u arrestua në Tiranë nën dyshimin për trafikim droge.

“Ramush, fakti që e kemi shkarkuar atë djalin kallëzon se me kë jemi! Ne jemi gjithë për drejtësi, por prokuroria nuk po është, po zgjedh kënd me ndjek e kënd jo! Për shembull, t’ish kanë prokuroria me drejtësinë, ti sot ishe t’u dhanë përgjegjësi për rritjen e çmimit të shpronësimit të autostradës Kijevë - Zahaç, prej 31 në 42 milionë euro”, ka shkruar Basha në Facebook.

“Me ty në krye keni marrë vendim me pagu 11 milionë euro më shumë, me dyfishim të çmimeve të vetëm disa parcelave, dhe ky vendim u bë publik me 31 dhjetor, natën e vitit të ri, që me kalu nën radar! Nuk u kanë keq me vet Fatmirin me çka po merret, se asaj udhe je edhe ti!”, ka shkruar tutje Basha.

Mujeci është arrestuar të martën në Tiranë bashkë me 4 persona të tjerë me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me peshë prej mbi 5.090 kilogramë në vlerë rreth 400 mijë euro.

Pas kësaj Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar atë nga të gjitha strukturat e partisë.