Arbëri

Basha bën thirrje për protestë paqësore, Rama thotë se po destabilizon vendin

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme që të protestojnë në mënyrë të qetë.

Ai theksoi se nga ora 11.00 deri në 12.00 do të ketë bllokim total të transportit. Sipas tij, kushdo që përpiqet që të pengojë protestën do të përballet me dënimet përkatëse.

“Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve qe fshihen pas fasadës”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka treguar se do të vëzhgohen të gjithë ata që tentojnë të thyejnë ligjin.

“Planet ogurzeza të republikës së vjetër për të shkatërruar zgjedhjet e shqiptarëve, për të shkatërruar vullnetin e lirë të shqiptarëve, për të parandaluar agimin dhe ardhjen e Republikës së Re, do të dështojnë me sukses të plotë”, tha Basha.

Në anën tjetër, kryeministri Rama akuzoi Partinë Demokratike se po kërkon të destabilizojë vendin.

“Ata që janë ngujuar sot në çadër nga frika e drejtësisë nuk e kanë aspak problem të prodhojnë probleme të reja për njerëzit dhe halle e konflikte të reja për vendin. Duan destabilizim, rrëmujë tym sepse e kuptojnë se çadra nuk i mbron dot edhe për shumë kohë nga drejtësia”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri u kërkoi qytetarëve të mos bëhen pjesë e protestës që siç është lajmëruar do të bllokojë rrugët kombëtare, përcjell TopChannel.

“Kush është shqiptar dhe me të drejtën e tij nuk e do këtë qeveri dhe mua për kryeministër duhet të refuzojë sidoqoftë të bëhet mercenar i politikës së përbuzjes për Shqipërinë duke bllokuar rrugët ku qarkullojnë njerëzit e këtij vendi. Fëmijë, nxënës, punonjës, të sëmurë, të mirat materiale që furnizojnë ekonominë e familjeve”, tha Rama.