Profesori Mazllum Baraliu ka vlerësuar se propozimi i më shumë se dy emrave për kandidatë për president të vendit, është qesharake dhe lojë për ta çuar vendin në zgjedhje.
Të mërkurën në “tre8tre” të KTV-së, Baraliu ka thënë se ky veprim do të ishte joserioz.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Katër kandidatë është qesharake, është lojë për të mos e bërë ekuacionin, pra për të mos e bërë presidentin, për ta çuar vendin në zgjedhje. Më tepër se kaq është tragjike, fatkeqe dhe komike nëse dëshironi, por jo serioze. Si duket aty është një rreth i ngushtë për të mos thënë një individ që vendos”, ka thënë ai.
Sipas Baraliut, moskandidimi i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, do ta dëmtonte Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, por edhe procesin zgjedhor në rast se vendoset të shkohet në zgjedhje.
“Ka një përkrahje për znj.Osmani nga publiku, ka ithtarët e saj, ajo është dëshmuar dhe moskandidimi i saj do ta dëmtojë shumë LDK-në, edhe më shumë se që e ka dëmtuar, do t’i dëmtojë zgjedhjet nëse shkojmë në zgjedhje dhe do ta dëmtojë edhe Vetëvendosjen shumë. Tipologjia politike e Osmanit, ajo ka ndikim të madh në popull por edhe në këto parti”, ka thënë ai.
Ndërsa për aludimet se emri i ministrit për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, Baraliu ka thënë se mund të jetë i pranueshëm për LVV-në dhe PDK-në.
VIDEO:
“Emri i Andin Hotit mund të jetë dhe unë mendoj se duhet të jetë i pranueshëm, sidomos për Partinë Demokratike të Kosovës, sepse me aq sa e di unë, ai një kohë ka qenë edhe pjesë e Partisë Demokratike dhe pa marrë parasysh, është fjala jo vetëm për një eksponent të qeverisë, por edhe për një pjesëtar të një familjeje të nderuar të Ukshin Hotit, familje e sakrificës, mendoj se është e respektuar edhe familja e tij edhe ai nga këto dy subjekte politike dhe mendoj se do të duhej të ishte kandidat i pranueshëm nga të dyja partitë”, ka thënë ai.
Ndonëse kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Pula, e ka mohuar të ketë biseduar me PDK-në që të jetë kandidate për presidente, Baraliu ka thënë se emri i saj nuk është i pranueshëm për Vetëvendosjen dhe se nuk mendon që do të ketë një propozim të tillë.