Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka komentuar fitoren e Ramiz Lladrovcit në Drenas.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka komentuar fitoren e Ramiz Lladrovcit në Drenas.
Ai ka thënë se këtë e sheh si fitore të PDK-së.
“PDK-ja sërish ka fituar në Drenas, nuk ka fituar dikush tjetër. Pra, një i PDK-së që ka merita të jashtëzakonshme, ka qenë lëshim i tyre pa dashur ta vlerësoj, i partisë që bën orientime përcaktime të gabuara të cilat mund të dështojnë. Gabim strategjik i PDK-së sepse nëse fillojnë fraksione të veprojnë për shkak të strukturave të caktuara në organe, qoftë kryesi a këshill dhe pastaj përjashton dikë që është vazhdimisht i suksesshëm dhe i shpërblyer me grante të caktuara të nivelit qendror për punën e ndershme, jo korruptive dhe ka merita ai dhe familja e tij në këtë rast Lladrovci, të pakontestueshme dhe kontribut të pakontestueshëm dhe unë pa dashur ta nënvlerësoj, sigurisht jam për rotacion por nëse dikush punon mirë pse duhet të ketë rotacion, tani kjo kam drojë që fut ‘pyka’ dhe ka fut dhe mund të fusë edhe më tepër brenda partisë. Por fitorja është e PDK-se e nuk është humbje as e bastionit në Drenas”, deklaroi Baraliu.
Kandidatit Ramiz Lladrovci, fitoren ia uroi kundërshtari i tij nga PDK-ja, Petrit Hajdari. Ky i fundit e quajti si garë të demokracisë.
Baraliu tutje ka folur edhe për procesin e balotashit.
Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV, thotë se balotazhi do të duhej të hiqej.
Sipas Baraliut, ky proces ka kosto edhe financiare edhe politike.
“Të hiqet kjo mundësi që ka edhe kosto ekonomike, por ka kosto edhe politike edhe demokratike. Nuk fiton ai që në fakt ka besimin më të madh. Nëse dikush tani në raundin e parë ka 49.9%, në balotazh mund të humb. Siç e kemi pasur rastin të Vetëvendosjes në zgjedhjet e kaluara në Prishtinë, pa një pa dy marrëveshjet e brendshme qoftë të heshtura ose transparente e përmbysin rezultatin dhe ai del fitues e ky humbës. Kjo tregon që diçka nuk është në rregull me ushtrimin e demokracisë dhe është abuzim dashtë e pa dashtë”, deklaroi Baraliu.
E sa i përket shkuarjes në balotazh në Prishtinë e Mitrovicë, Baraliu thotë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, për arsye të tij dëshiron ta marrë qeverisjen në Mitrovicë dhe ta vazhdojë “sundimin e ligjit pjesën veriore, të cilën edhe opozita e deri tanishme duhet ta pranojë se atje ka sundim të ligjit”.