Arbëri

Banorët kundërshtojnë lokacionin për Ambasadën gjermane

Kohën e lirë zakonisht e kalon në këtë park, pasi është edhe vendi i vetëm ku mund të relaksohet. Dren Shahini, banor i lagjes “Mati I”, është i shqetësuar se kjo pjesë e cila ndodhet afër oborrit të QKUK-së, po i jepet në shfrytëzim Ambasadës gjermane.

Shahini tregon se i ka bërë thirrje edhe Komunës, por edhe Ambasadës që të heqin dorë nga kjo hapësirë e gjelbër.

Sipas tij, Prishtina ka mjaft hapësira të tjera ku mund të ndërtohen objekte të ndryshme.

“Është e vetmja hapësirë e gjelbër që ka mbetur për lagjen Mati I, Ulpianë, Bregun e Diellit, tashmë këto lagje të betonizuara nga ndërtimet e egra. Është një hapësirë me pisha qindra vjeçare, është një mrekulli të jesh këtu, por që fatkeqësisht në vitin 2018, Kuvendi Komunal me një votim këtë tokë ia ka ndarë Ambasadës Gjermane për shfrytëzim. Siç thuhet Ambasda do e përdorë këtë tokë për ndërtimin e një objekti. Unë edhe i kam shkruar Ambasadës duke i kërkuar që të heq dorë nga kjo tokë”, ka thënë Shahini.

Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada ka thënë shkurt se në korrik të vitit 2019, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt, kanë nënshkruar një kontratë për këtë pronë.

Ata thonë se do ta ruajnë hapësirën e gjelbër.

“Ndërtimi i objektit të ri të Ambasadës gjermane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, është një hap i ri, veçanërisht domethënës në raportet tona bilaterale dhe një qendër domethënëse për raportet e mira mes shteteve dhe shoqërive tona. Ndërtimi i objektit të ri të Ambasadës gjermane do të planifikohet dhe kryhet gjatë viteve të ardhshme sipas standardeve më të larta gjermane dhe evropiane. Objekti i ri do të jetë një vend për takime dhe shkëmbime të hapura, të cilin edhe nga aspekti i mjedisit dëshirojmë ta ndërtojmë në përputhje me standardet më të larta. Këtu bëjnë pjesë edhe përpjekjet tona për ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe drunjve ekzistues. Objekti i ri i Ambasadës duhet të jetë shembull për urbanizëm miqësor dhe të gjelbër”, thuhet në njoftim të Ambasadës.

Marrëveshja mes Ahmetit dhe Heldit është finalizuar derisa ka marrë dritën e gjelbër në Kuvendin Komunal. Në mbledhjen e së premtes kishte 38 vota pro dhe një kundër .

“Vetëvendosje së bashku me kryetaren e grupit për mbrojtjen e ujërave, Fitore Pacolli, kemi shkuar në Ambasadën gjermane dhe kemi kërkuar nëse ata do të vendosin për ndërtimin e ambasadës në atë pjesë. Përgjigja e tyre ka qenë se këtë parcelë nuk është se e kanë zgjedhur vetë ata, por i është ndarë nga ministria, gjithashtu për këtë parcelë na tha që ka qenë edhe Komuna e Prishtinës e përfshirë kur është ndarë”, ka thënë asamblisti i VV-së, Egzon Azemi.

“Këto ambasada i kisha vendos në periferi. Zvogëlimi i përditëshëm i hapësirave gjelbëruese. Si grup e përkrahim këtë pikë sepse nuk besojmë që ka kthim prapa”, është shprehur Sami Borovci nga AKR-ja.

Ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja e kanë votuar pa ndonjë kundërshtim.