Arbëri

Banorët e Orllanit ankohen për mospërfshirje të të gjithë fshatit në kolektor

Projekti mbi gjysmë milioni euro i kolektorit të ujërave të zeza dhe impiantit në fshatin Orllan të Podujevës nuk do të përfshijë shumë objekte banimi, objektin e Shkollës “Zahir Pajaziti” e nënstacionin e Policisë. Rrjedhimisht, një pjesë e ujërave të zeza do të vazhdojnë të derdhen në liqenin e Batllavës. Ky projekt që do të duhej të përfundonte në vitin 2017, sipas banorëve që nga fillimi është përcjellë me mangësi. Në anën tjetër, zyrtarët e konsorciumit DORSCH-CDI thonë se objektet që gjenden në zonën mbrojtëse nuk mund të përfshihen në kolektor. Kurse pjesa tjetër e projektit do të përfundojë në muajin prill

Projekti që synonte eliminimin e ujërave të zeza nga liqeni i Batllavës në fshatin Orllan të Podujevës nuk pritet të arrijë këtë qëllim. Banorët thonë se në këtë kolektor nuk është përfshirë më shumë se 40 për qind e fshatit, ndërkohë që jashtë kanë mbetur edhe shkolla “Zahir Pajaziti”, nënstacioni policor e shumë objekte banimi.

Ky projekt, që parasheh ndërtimin e kolektorit dhe impiantin biologjik për trajtimin e ujërave të zeza në Orllan, ka kushtuar 550 mijë euro. I njëjti do të duhej të përfundonte në vitin 2017.

Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i Organizatës joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, thotë se që nga fillimi këtë projekt e kanë përcjellë mangësi të shumta.

“Qysh në fillimin e këtij projekti është parë mungesa e tij, pra që nuk ka përfshirë gjithë fshatin Orllan. Ka përfshirë vetëm 40 për qind të fshatin Orllan dhe është mbetur një pjesë e madhe e shtëpive të banimit, po ashtu edhe shkolla që gjendet në fshatin Orllan është mbetur pa u përfshi në këtë projekt”, ka thënë Zeka.

Edhe drejtori i shkollës fillore “Zahir Pajaziti”, Naim Bajrami, e konsideron shqetësuese mospërfshirjen e këtij objekti shkollor në këtë kolektor.

“Problemi është që verës kundërmon edhe erë të rënda, është shumë afër shkollës, s’është as 50 metra nga pjesa e poshtme e shkollës dhe unë kisha kërkuar si drejtor shkolle, bashkërisht edhe me Këshillin Drejtues, me prindërit, nxënësit që të përfshihet shumë shpejt shkolla e heroit të kombit Zahir Pajaziti”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit të prindërve të kësaj shkolle, Ilaz Haliti, thotë se për shkak se gropa septike gjendet përskaj shkollës, nxënësit rrezikohen edhe nga ndonjë epidemi.

“Këtu jemi pranë gropës septike të shkollës fillore ‘Zahir Pajaziti’. Kjo shkollë posedon afro 200 nxënës me gjithë nxënësit e shkollës së mesme. Këtu kemi problem me gropa septike që derdhen ujërat e zeza mbi 10 vjet, prej që u ndërtua kjo shkollë janë këto gropa septike dhe këto mbushen, kundërmon erë e rëndë. Këtu kemi edhe liqenin me ujë të pijes që normal depërton nëpër dhe ujërat e zeza depërtojnë edhe në liqen”, është shprehur Haliti.

Ky projekt, që përfshin kolektorin dhe ndërtimin e impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Orllan të Podujevës, është financuar nga Qeveria zvicerane dhe implementohet nga konsorciumi DORSCH-CDI.

Përfaqësuesit e kësaj të fundit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se shkolla nuk mund të përfshihet në kolektor, për shkak se gjendet në zonën mbrojtëse.

Sipas tyre, projekti është në fazën e testimit dhe futjes në funksion të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe do të përfundojë në mesin e muajit prill 2022.