Arbëri

Banorët ankohen për zvarritjen e projektit të ujësjellësit në Orllan

Banorët e fshatit Orllan të Komunës së Podujevës po ankohen për zvarritjen e punimeve në projektin e ujësjellësit në këtë fshat. Sipas tyre, ky projekt që ka nisur më 2018, do të duhej të përfundonte vitin e kaluar, por kjo nuk ka ndodhur ende. Në mungesë të ujësjellësit, banorët detyrohen ta blejnë edhe ujin për pastrim. Institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës.

Ismajl Sejdiut i duhet ta paguajë nga 15 euro një banor të fshatit Orllan të Podujevës për ta mbushur rezervarin e ujit që e ka të vendosur në oborrin e shtëpisë.

Ujë tjetër duhet të blejë për pije, pasi atë me të cilin e furnizon ky banor Ismajlin dhe fqinjët e tij nuk përdoret për pije.

Ujin e pijshëm nuk e ka as pusi, që, siç thotë ai, shteron në gjysmë të korrikut.

“Ujësjellësin kaherë e kanë përmendur, vjet e parvjet, ne i sollën deri te dera edhe lidhëset, pusetën për t’u lidhur, ne menduam që së shpejti do të bëhet ajo punë. Mirëpo, qe 1 vit e kusur ka ngelur ajo punë në gjysmë, nuk e di pse. Kush e ka fajin, a institucionet a komuna, a ai punëmarrësi, a kush e ka marrë, nuk e di ku qëndron puna, veç vërtet ne liqeni i Batllavës, Orllani i japim ujë pothuajse gjysmës së Kosovës dhe krejt Podujevës dhe për vete s’kemi ujë. Problem shumë i madh”, ka thënë banori i fshatit Orllan, Ismajl Sejdiu.

“Kam dëshirën që të bëj thirrje së pari te Ministria e Ambientit, Komunës së Podujevës, KRU “Prishtina”, e më tepër firmës Infraplus, që t’ia fillojnë, koha po kalon, gushti po afrohet, jemi në gjysmë të muajit qershor, që të na gëzojnë me ujë të pijes e mos të vuajnë këta banorë më për ujë të pijes. Ujin e kemi afër e jemi pa ujë, e kemi fytin e tharë”, ka thënë banori, Avdullah Shabani.

Në rrjetin e ujësjellësit tash për tash nuk ka qasje as shkolla fillore “Zahir Pajaziti”. Drejtori i saj, Naim Bajrami, thotë se ky institucion furnizohet me ujë nga pusi.

“Telashet më të mëdha i kemi me ujë të pijes. Ende sa kam informata, ende nuk është funksional ujësjellësi regjional nga Prishtina. Informatat e mia janë që vitin e kaluar ka qenë si projekt për t’u përfunduar. Po shpresojmë shumë që këtë vit do të përfundojë dhe do të kemi edhe ujin e pijes për nxënësit tanë që është shumë i domosdoshëm”, ka thënë Naim Bajrami, drejtor i shkollës “Zahir Pajaziti” në Orllan.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit, KRU “Prishtina”, shkurt kanë thënë se ata kanë dhënë vetëm zgjidhje teknike dhe me këtë rrjet do të menaxhojnë pas përfundimit të projektit.

Në Komunën e Podujevës thonë se në qeverisjen e kaluar Komuna e ka financuar hartimin e këtij projekti, por nuk kanë pasur as rol menaxhues e as mbikëqyrës.

“Zvarritjet në këtë projekt janë bërë për shkak të ndryshimit të projektit, një ndryshimi të vogël të projektit ku është kërkuar të vendoset një sistem i pompimit në Fabrikën e Shajkofcit, i cili do ta furnizonte rezervarin e ujit në fshatin Surdull dhe si pasojë e kësaj është dashur që të bëhen disa takime të përbashkëta operatori ekonomik me KRU ‘Prishtina’ dhe Ministrinë në fjalë. Prandaj, sipas informacioneve, këto veç janë dakorduar që propozimi i cili është dhënë për sistem të pompimit ka kaluar”, ka thënë drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga dita e martë edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por ato kanë munguar.