Arbëri

Kërkohet lejimi i notit dhe peshkimit në zonën e Orllanit në Batllavë

Lejim të notit dhe peshkimit në liqenin e Batllavës, në zonën e fshatit Orllan, është kërkuar në tryezën që ka organizuar organizata joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” të premten. Rexhep Zeka nga kjo organizatë ka thënë se duhet të gjendjet një zgjidhje edhe për ujërat e zeza në Orllan, për pjesët që s’janë përfshirë në kolektorin që financohet nga Qeveria e Zvicrës.

Kjo organizatë ka kërkuar që të ndërpriten procedurat për rrënimin e objektit të shkollës fillore “Zahir Pajaziti”, pasi sipas Zekës, ndërtimi është bërë para përcaktimit të zonave të mbrojtura të liqenit.

Po ashtu ka kërkuar të ndërmerren masa mbrojtëse për sigurimin nga ndotja e ujit të liqenit, duke filluar nga vendosja e një grope septike për ujërat e zeza dhe vendosjen e sistemit të pompimit për përcjelljen e këtyre ujërave në kanalizim.

Image

Në tryezë është kërkuar që kanalizimi u ujërave të zeza në Orllan të jetë prioritet i Komunës së Podujevës.

Si rekomandim tjetër në këtë tryezë, ku kanë qenë të pranishëm zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Komunës së Podujevës, deputetë e zyrtarë tjerë, Zeka ka kërkuar që projekti i sistemit të ujësjellësit për fshatin Orllan të përfundojë brenda vitit 2022.

“KRU ‘Prishtina’ dhe MMPHI-ja sa më parë të definojnë çështjen e sistemit të pompimit të ujit nga fabrika e pastrimit të ujit në Shajkovc. Legjislacioni (Ligji dhe aktet nënligjore) për caktimin e zonave të mbrojtura të mos zbatohet retroaktivisht. Të gjitha objektet e ndërtuara të trajtohen sipas ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe të gjitha ato që i plotësojnë kritereve teknike dhe kohore të legalizohen. Nëse në ndërkohë (pas përfundimit të kanalizimit dhe legalizimit) gjatë procesit të mbikëqyrjes, organi përgjegjës për mbikëqyrje konstaton se këto objekte kanë ndikim në ndotjen e ujit, mund të propozohen masa sanuese shtesë”, thuhet në komunikatën për media të OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”. “Të shqyrtohen të gjitha mundësitë e amandamentimit të Udhëzimit Administrativ 15/2017 dhe të largohet ndalesa e peshkimit dhe notit në liqe; Duke qenë se është edhe interes shtetëror qëndrimi i banorëve ne fshatrat e zonës kufitare, siç është Orllan dhe fshatrat përreth, Komuna e Podujevës të iniciojë një grup punues të përbashkët me MMPHI-në dhe ekspertë tjerë për gjetjen e modalitetet për një projekt zhvillimor te Eko-turizmit në Orllan dhe fshatrat përreth”.

Ditë më parë në hapësirat në brigjet e Batllavës, disa qytetarë kanë dëmtuar shenjat sinjalizuese që njoftonin për ndalim të notit dhe peshkimit. Rasti ishte paraqitur në Policinë e Kosovës, pati njoftuar KRU “Prishtina”.