Banorë të lagjes “Gëzim Salihu” në qytetin e Ferizajt kanë protestuar kundër ndërtimit të një objekti banesor afër shtëpive të banimit, pasi konsiderojnë se ngritja e tij është në kundërshtim me kriteret ligjore.
Për këtë objekt javë më parë edhe Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masë të përkohshme, mirëpo, sipas banorëve, ndërtuesi ka shpërfillur vendimet e institucioneve.
Prandaj, për orë të tëra gjatë të hënës banorët i kanë penguar punimet.
“Shqetësimet e banorëve të lagjes ‘Gëzim Sahiti’ janë për nderimin e ‘Hit Petrollit’, e cila e ka marrë lejen që ne e konsiderojmë të jashtëligjshme për arsye se edhe Gjykata Themelore e Ferizajt me aktvendim ia ka ndaluar punimet me masë të sigurisë dhe pas 10 dite ia ka filluar punimet pa e marrë aktvendimin nga Gjykata e Apelit në formën e prerë”, tha Shkëlzen Petroshani, banor i lagjes.
“Është duke ndodhur një ndërtim komplet joligjor, leje e kontestueshme në të gjitha pikat ligjore. Kemi pasur protesta, e kemi paralajmëruar protestën, prapë jemi duke mbajtur protestë, por, siç po e shihni këtu mbrapa, nuk po i marrin parasysh as protestat e qytetarëve. Është duke ardhur puna deri te një konfrontim i padëshiruar nga ana e qytetarëve”, tha banori tjetër Valdet Haxhimusa.
Fatmir Grainca, pronar i këtij objekti, nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje. Por, prapa kamerës ka thënë se i posedon të gjitha dokumentet e nevojshme dhe lejen ndërtimore për të vazhduar punimet.
E, me protestuesit është takuar drejtori i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, i cili është zotuar se do ta shqyrtojnë lejen ndërtimore, e cila është lëshuar në vitin e kaluar.
“Ne në vazhdimësi kemi qenë në kontakt me banorët. Kompania që është duke ndërtuar është e pajisur me leje të ndërtimit. Kërkesat e banorëve ne i kemi inkurajuar në vazhdimësi që këto të drejta t’u drejtohen organeve kompetente ligjore, mirëpo tash na mbetet t’i shikojmë veprimet e mëtutjeshme”, Bytyqi.
Objekti në ndërtim, kundër të cilit kanë protestuar banorët, ka leje për 13 kate. E, banorët thonë se aty nuk lejohen ndërtime më të larta se pesë kate, prandaj kanë kërkuar hetim nga Prokuroria Themelore.