Për të pestën herë brenda një muaji, banorët e fshatit Drenoc kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.
Defektet në pompën e vendosur në pusin prej të cilit furnizohet fshati, lanë pa ujë banorët në ditën e dytë të Vitit të Ri, për t’u sanuar të martën.
E banorët disa herë kanë paraqitur kërkesa te komuna dhe te kompania “KRU Gjakova” për një zgjidhje të përhershme të problemit.
“Vitin e fundit kemi ekstrem problem, jo pak. Vetëm brenda muajit janë ndërruar 3 pompa, i kemi pasur 5 defekte dhe ka 3 ditë pa ujë komplet fshati. Prapë e kemi edhe tash, edhe sot e kemi atë problem, prej dje jemi pa ujë, prapë është problemi me pompa, jam duke u munduar që të sanojmë problemin me pompa. Nuk kemi për të zgjidhur problem prapë me një pompë. Se është vetëm me një pompë komplet fshati”, tha Besim Bajrami, banor i Drenocit.
Fshati Drenoc dhe ai Senoc janë të vetmet në Komunën e Rahovecit që furnizohen me ujë nëpërmjet sistemit të pompimit.
Deri në implementimin e projektit që e përfshin zgjerimin e rrjetit të furnizimit prej Liqenit të Radoniqit, kryetari i fshatit, Artan Asllani, kërkon që të shtohet një pompë tjetër si zgjidhje e përkohshme për mbi dy mijë banorë.
“Kërkesa e vazhdueshme ka qenë që derisa të bëhet një zgjidhje e furnizimit të ujit të pijes nga kompania nga Gjakova, të bëhet një zgjidhje tjetër e përkohshme për furnizim, së paku të jetë me dy pompa të furnizimit të ujit. Vetë fakti tregon se me implementimin e këtij projekti në vitin 2011 ka qenë një zgjidhje e përkohshme e furnizimit me ujë, ku gjendemi në këtë pjesë”, tha Artan Asllani, kryetar i fshatit Drenoc.
E kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kërkoi nga kompania rajonale e ujësjellësit “Gjakova”, që problemit të banorëve t’i jepet një epilog gjatë këtij viti.
“Zgjidhja afatgjate e këtij problemi, pra furnizimi me ujë të pijshëm i fshatit Drenoc dhe Senoc, ndodh vetëm atëherë kur të realizohet një projekt i cili kushton ndoshta diku deri 600 mijë euro me këto çmimet e reja. E që sipas ligjit dhe përgjegjësive dhe detyrave duhet ta nisë ‘KRU Gjakova’. Është përgjegjësi direkte ekskluzive e ‘KRU Gjakovës’. Ne kemi një marrëveshje mirëkuptimi me ta, që kemi vullnetin politik, institucional po edhe individual që të kontribuojmë me 49 për qind të mjeteve financiare për zbatimin e projektit”, tha Latifi.
Në “KRU Gjakova”, moszbatimin e projektit për vite e justifikuan me pamundësinë e përballimit, si të vetëm, të kostos së lartë financiare.
“Është projekt me kosto të lartë (850 mijë euro), të cilin KRU ‘Gjakova’ nuk mund ta përballojë në mënyrë vetanake. Siç edhe ju sqaruam më lart, projekti nuk është finalizuar në mungesë të fondeve, mundësi e një bashkëpunimi qoftë nga Ministria, Komuna apo donatorë të ndryshëm. KRU ‘Gjakova’ ka vullnetin e pakontestueshëm që t’u bëjë zgjidhje të përhershme këtyre banorëve sapo të sigurohen fondet e mjaftueshme për implementimin e projektit”, thuhet nga KRU “Gjakova”.
Në këtë kompani, fajin për defektet e shpeshta të pompës ia vënë tensionit të dobët të energjisë elektrike përderisa njoftuan se e sanuan gjatë ditës edhe defektin e fundit.