Arbëri

Uji i Ujmanit, alternativë e pashfrytëzuar furnizimi kur vlera e manganit në Badoc rritet

Arsim Fetahu, kryeshefi ekzekutiv i “KRU Prishtina”, pati thënë kohë më parë në emisionin 038 të KTV-së se është duke u shqyrtuar mundësia që furnizimi me ujë për pije të bëhet nga liqeni i Ujmani nëpërmjet kanalit të “Ibër-Lepencit”. Në këtë kanal, uji që buron nga Ujmani përfundon në Çagllavicë, që është vetëm disa kilometra larg fabrikës së ujit në Badovc. E kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, i ka thënë KOHËS se as kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, as kryeshefi i “KRU Prishtina”, Arsim Fetahu, dhe as ndonjë ministër nuk i kanë dërguar kërkesë për funksionalizim nëpërmjet kanalit nga fshati Besi deri në Çagllavicë

Sigurimi i ujit për pije nëpërmjet autoboteve të vendosur nëpër lagje të kryeqytetit është edhe sivjet zgjidhja e vetme që ndërmarrja rajonale e ujësjellësit “KRU Prishtina” ua ka ofruar qytetarëve, të cilët furnizimin me ujë e kanë nga liqeni i Badocit, ku që nga e hëna është rritur vlera e përqendrimit të manganit.

Kjo është hera e tretë brenda dy vjetësh që uji nga ky liqe është rekomanduar që të mos përdoret për pije dhe për gatim, për shkak të vlerës së lartë të manganit. Që atëherë, institucionet nuk kanë ndërmarrë hapa për të siguruar alternativa të furnizimit me ujë në rastet kur vlerat e manganit në Badoc rriten.

Arsim Fetahu, kryeshefi ekzekutiv i “KRU Prishtina”, pati thënë kohë më parë në emisionin 038 të KTV-së se është duke u shqyrtuar mundësia që furnizimi me ujë për pije të bëhet nga liqeni i Ujmani nëpërmjet kanalit të “Ibër-Lepencit”. Në këtë kanal, uji që buron nga Ujmani përfundon në Çagllavicë, që është vetëm disa kilometra larg fabrikës së ujit në Badovc. Por ky potencial ka mbetur vetëm në suaza të diskutimit.

Në “KRU Prishtina” kanë thënë se ky projekti është refuzuar nga ndërmarrja e “Ibër-Lepencit”.

E kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, i ka thënë KOHËS se as kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, as kryeshefi i “KRU Prishtina”, Arsim Fetahu, dhe as ndonjë ministër nuk i kanë dërguar kërkesë për funksionalizim nëpërmjet kanalit nga fshati Besi deri në Çagllavicë.

“Ekzistojnë rreth 50 kilometra kanal që fillimisht janë ndërtuar për ujitje. Tani, në atë pjesë kryesisht ka shtëpi dhe ka 20 vjet që kanali është jashtë përdorimit. Ne në vitin 2014 dhe 2021 e kemi prezantuar para amerikanëve si mundësi dhe me ujësjellësin është diskutuar, por kurrë nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare nga askush. Nëse do të rivitalizohej kanali, atëherë duhet investim në 20 kilometra në mënyrë që uji të shkojë në stacionin tonë në Çagllavicë. Nga aty deri në Badoc është pjesë e investimeve të tjera që duhet të bëjë ‘KRU Prishtina’. ‘Ibër-Lepenci’ aktualisht është i obliguar ta furnizojë me ujë nga Ujmani fabrikën në Shkabaj dhe këtë e bëjmë 24/7 pa asnjë problem”, ka theksuar ai.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në “KRU Prishtina”, ka theksuar se me zgjidhjen afatgjate të problemit me furnizim duhen të merren edhe institucionet, pasi që “kompania nuk munden ta zgjidh e vetme”.

“Nuk e dimë, do të mbajmë takime të vazhdueshme. Në këtë rast bëhet fjalë për shëndetin publik dhe nuk duhet vetëm një kompani të merret me këtë çështje por institute të veçanta. Po shpresojmë që do të kemi ndihmë edhe nga institucionet përkatëse për të parë se çfarë po e shkakton përqendrimin e manganit në nivel më të lartë në Badoc”, është shprehur ajo.

Me gjithë që problemi me manganin në ujin e liqenit të Badocit prek një pjesë të madhe të kryeqytetit, zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk janë marrë deri më tash me problemin që çdo vjeshtë rrezikon banorët e saj.

Mangani është një mineral, i cili konsiderohet si lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore. Por prania e tij në sasi më të lartë sesa ajo e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.

Ekspertë të shëndetësisë kanë alarmuar për rreziqet që mund të burojnë nga konsumimi i ujit me përqendrim të lartë të manganit.

“Mangani pastaj mund të ketë efekte toksike në organizmat e gjallë kryesisht edhe tek organizmi i njeriut. Dhe moshat të cilat janë më të predispozuara sa i përket përqendrimit të manganit, kryesisht te fëmijët sepse, sipas literaturës, konsiderohet që vlerat e larta të përqendrimit të manganit mund të ndikojnë në sistemin nervor qendror, pra te fëmijët kryesisht, ata janë më të rrezikuar krahasuar me moshat e tjera të njerëzve”, ka thënë profesori Ilir Shehu nga Departamenti i Kimisë.

Në dy herët e mëparshme të shfaqjes së vlerave të larta të manganit në Badoc, uji nga ky liqen ka qenë i papijshëm për një periudhë prej rreth një muaji.