Megjithëse janë shënuar ulje të vlerave të manganit në liqenin e Badocit, sipas Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, uji nga ky liqe ende nuk bën të pihet.
Kjo situatë i ka vënë në hall të madh banorët të zonave të kryeqytetit që furnizohen me ujë nga Badoci.
Problemin më të madh e kanë të moshuarit edhe me koston e ujit të blerë edhe me bartjen e tij.
Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit, Ilir Abdullahu, kohë më parë për emisionin 038 pati deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë që furnizimi me ujë të pijes të bëhet nga fabrika “Shkabaj”, në momentin që shfaqet mangani në Badoc.
Mirëpo, ky projekt momentalisht është në listë të pritjes për financim dhe sipas K.R.U “Prishtina”, është një projekt më afatgjatë.
“Vazhdojnë vlerat e larta të manganit në liqenin e Badocit, me ç’rast jemi duke iu përmbajtur të gjithë rekomandimeve të IKSHP. Sa i përket asaj se çfarë ka deklaruar kryeshefi, është projekt për periudhë afatgjate dhe në listë prioritare për financim të projektit, por për periudhë afatgjate.”
Mirëpo, Egzona Kadiu-Shala, aktiviste ambientaliste, thotë se faktorë i rritjes së nivelit të manganit në liqenin e Badocit, janë edhe ujërat e ndotura.
“Mangani është element kimik që gjendet në tokë dhe ujë, mirëpo në situatën e Badocit rrjedh prej faktorëve të ndryshme. Njëri prej tyre është edhe ujëra e ndotura nëntokësore të cilat pastaj për një kohë të kalueshme e bartin deri te liqeni i Badocit në këtë rast. I duhet shumë më shumë kohë ujit që të pastrohet nga ky element kimik, mungesa e reshjeve atmosferike dhe thatësira e pamundëson vet pastrimin e ujit, në këtë rast shihet që ka ende sasi të mëdha të manganit dhe e pamundësojnë furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët. Manganit dhe elementeve të tjera iu është dashur kohë deri sa kanë arritur aty.”
Mosmenaxhimi i të gjitha sipërfaqeve të kanalizimit në Kosovë, rrezikon rritjen edhe të elementeve të tjera, thotë Kadiu-Shala.
“Prezenca e këtij elementi dhe elementeve të tjera potencialisht ka gjasa që të rriten ende në Kosovë, e njëri prej faktorëve është se Kosova i menaxhon vetëm 25 për qind të sipërfaqeve të kanalizimeve që rrjedhin. Parimisht mos menaxhimi i kanalizimeve e sjellë dhe vështirëson situatën e furnizimit me ujë të pijshëm tek qytetarët. Pra është Ujësjellësi që e bën menaxhimin e ujërave të zeza e në të njëjtën kohë edhe të ujit të pijshëm”.
Nga K.R.U “Prishtina” thonë se pavarësisht se po dërgohen autobotet për furnizimin me ujë të pijshëm në disa lagje, qytetarët nuk kanë shprehur interesim të madh për t’u furnizuar nga to.