Ujë përmes autobotëve, edhe këtë vit është zgjidhja e vetme që ujësjellësi rajonal “Prishtina” po ua ofron qytetarëve të Prishtinës që furnizohen me ujë të pijshëm nga liqeni i Badocit.
Për të tretin vit me radhë, në këtë periudhë të vitit uji i pijes që vije nga liqeni i Badocit rezulton i papijshëm për shkak të përqendrimit të nivelit të lartë të manganit në të.
E ka tre vjet që institucionet vendore nuk kanë ndërmarrë hapa për zgjidhjen e problemit të manganit.
Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit, Arsim Fetahu, kohë më parë për emisionin 038 pati deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë që furnizimi me ujë të pijes të bëhet nga Ujmani përmes kanalit të Ibër Lepencit.
Ky kanal e sjell ujin deri në Çagllavicë prej ku fabrika e Badovcit nuk është shumë larg.
“Ky është kanali me ujë që do të shpëtonte një pjesë të madhe të Prishtinës nga uji i rrezikshëm me mangan. Uji nëpër këtë kanal të Ibërlepencit vjen nga Ujmani dhe përfundon në Çagllavicë, vetëm disa kilometra larg fabrikës së ujit në Badovc. Megjithatë potenciali i tij ka mbetur vetëm diskutim”, tha Fetahu.
Brenda ujësjellësit kanë thënë se projekti në fjalë është refuzuar nga ndërmarrja e “Ibër Lepencit’.
Por kryeshefi i kësaj të fundit Faruk Mujka ka thënë për KTV-në se as kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, as kryeshefi i ujësjellësit, Arsim Fetahu e as ndonjë ministër nuk i kanë dërguar kërkesë për funksionalizim të kanalit nga fshati Besi deri në Çagllavicë.
“ Ekzistojnë rreth 50 kilometra kanal që fillimisht janë ndërtuar për ujitje. Tani në atë pjesë kryesisht ka shtëpi dhe ka 20 vjet që kanali është jashtë përdorimit. Ne në vitin 2014 dhe 2021 e kemi prezantuar para amerikanëve si mundësi dhe me ujësjellësin është diskutuar por kurrë nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare nga askush. Nëse do të rivitalizohej kanali atëherë duhet investim në 20 kilometra në mënyrë që uji të shkoj në stacionin tonë në Çagllavicë. Nga aty deir në Badovc është pjesë e investimeve tjera që duhet të bëjë KRU Prishtina. Ibër Lepenci aktualisht është i obliguar ta furnizojë me ujë nga Ujmani fabrikën në Shkabaj dhe këtë e bëjmë 24/7 pa asnjë problem”, tha Mujka.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse e K.R.U “Prishtina” thotë se për zgjidhje afatgjate të kësaj çështjeje duhet të merren edhe institucionet përkatëse, pasi ata si kompani nuk munden ta zgjidhin vet këtë problem.
“Nuk e dimë do të mbajmë takime të vazhdueshme, në këtë rast bëhet fjalë për shëndetin publik dhe nuk duhet vetëm një kompani të merret me këtë çështje por institute të veçanta, po shpresojmë që do të kemi ndihmë edhe nga institucionet përkatëse për të parë se çfarë po e shkakton përqendrimin e manganit në nivel më të lartë në Badoc”, deklaroi Mjeku.
Pavarësisht se e prek një pjesë të madhe të kryeqytetit, zyrtarë të komunës më të madhe në vend as që janë marrë me problemin që çdo vjeshtë rrezikon banorët e saj.