Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorë të Gjilanit ndihen të rrezikuar nga “Shtëpia e narkomanëve”

Këtë shqetësim, banorët e lagjes “Elez Agushi” në Gjilan thonë se e kanë adresuar disa herë te institucionet përkatëse, por, sipas tyre, nuk është ndërmarrë asgjë. Ata zgjidhjen e shohin te rrënimi i objektit, por kjo nuk është e mundur, sipas përgjegjësve në Komunën e Gjilanit

Një shtëpi e pabanuar që nga koha e pasluftës, në lagjen “Elez Agushi” në Gjilan, tash e më shumë se katër vjet është duke u shfrytëzuar për përdorim të lëndëve narkotike nga të rinjtë e këtij qyteti.

Shiringa e mbeturina të tjera të rrezikshme mund të shihen kudo brenda saj.

Banorët thonë se ky problem është adresuar disa herë tek organet përkatëse, mirëpo pa rezultat.

Flora Xhelili, banore e kësaj lagjeje, ka thënë se janë të rrezikuar nga kjo “shtëpi” dhe nga frekuentuesit e saj.

“Një kaos i vërtetë brenda shtëpisë, të them të vërtetën, ne jetojmë këtu, jemi të rrezikuar çdo kohë prej kësaj pjese këtu, si fëmijët, si ne, të gjithë banorët e kësaj lagjeje. Për këtë çështje është e informuar Policia e Antidrogës me vite, është e informuar Komuna, por asnjëherë nuk janë ndërmarrë masa”, ka thënë Xhelili.

Edhe 61 shtëpi që rrezikojnë të shemben janë identifikuar në Prishtinë SOT 61 shtëpi që rrezikojnë të shemben janë identifikuar në Prishtinë

Ajo tregon se banorët me vetiniciativë disa herë e kanë pastruar këtë shtëpi, por përsëri është kthyer në gjendjen çfarë është tash.

Banorët kërkojnë nga Komuna që ta rrënojnë këtë objekt.

“Shqetësimi ynë kryesor janë fëmijët, se ata nuk guxojnë të kalojnë këtu pa përcjellje, por edhe për neve të rriturit paraqet rrezik”, shtoi Xhelili.

Leonora Morina-Bunjaku, nënkryetare e Komunës së Gjilanit, pohoi se është në dijeni për ankesat e qytetarëve.

Sipas saj, Drejtoria e Inspektoratit ka bërë disa herë pastrimin e objekteve të tilla, mirëpo rrënimi, siç kërkohet nga banorët, pa pasur kontakt me pronarët është i pamundur.

Edhe Një shtëpi e pabanuar në kryeqytet është bërë strehë e përdoruesve të drogave Arbëri Një shtëpi e pabanuar në kryeqytet është bërë strehë e përdoruesve të drogave

“Realisht jemi në koordinim edhe me Policinë që të marrim hapa të mëtutjeshëm për rrënimin e atyre shtëpive të cilat shkaktojnë njëkohësisht rrezik edhe për të rinjtë tanë, por gjithashtu edhe për qytetarët që banojnë në ato lagje. Mirëpo kemi hasur në vështirësi, sepse banorët e shtëpisë konkretisht të rrugës ‘Elez Agushi’ banojnë jashtë vendit, do të thotë veprojnë jashtë vendit, u takojnë komunitetit rom, dhe në ndërkohë presim kthimin e tyre, sepse ju e dini prona është e shenjtë dhe nuk mund të ndërmarrësh hapa pa pëlqimin e pronarit të pronës”, u shpreh Morina-Bunjaku.

Po ashtu, theksoi se prioritet i qeverisjes së re në Gjilan është luftimi i këtyre dukurive.

“Të gjitha institucionet do të marrin hapa duke filluar edhe nga Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale, Inspektorati, Shërbimet Publike e Zyra e Kryetarit. Të koordinuar bashkërisht ne do ta bëjmë zgjidhjen e këtij problemi, ndoshta zgjidhjen e plotë nuk mund ta garantoj, por sigurisht se parandalimi i këtyre dukurive negative është prioritet i qeverisjes sonë”, ka shtuar ajo.

E në Policinë Rajonale të Gjilanit pohojnë se janë ndërmarrë veprimet përkatëse çdo herë që janë njoftuar për objekte të tilla.

Edhe Qytetarët kërkojnë vlerësim e kompensim për shtëpitë e shembura në Rrugën A Arbëri Qytetarët kërkojnë vlerësim e kompensim për shtëpitë e shembura në Rrugën A

Zëdhënësi i Policisë së këtij rajoni, Ismet Hashani, thotë se është duke u zbatuar një plan operativ kundër përdorimit të narkotikëve.

“Policia e Kosovës në çdo rrethanë vazhdon t’i thërrasë qytetarët kudo që kanë informata për vendndodhje të tilla apo për shtëpi të braktisura, të cilat shpeshherë kthehen në strehë të personave që i frekuentojnë me qëllim të abuzimit me substancë narkotike, le të lajmërojnë menjëherë Policinë e Kosovës në numrin 192, apo përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’”, tha Hashani.

Sipas OJQ-së “Labyrinth”, që merret me disa aspekte të këshillimit e trajtimit të përdoruesve të drogave, në Kosovë janë rreth 40 mijë përdorues të drogave.