SOT

61 shtëpi që rrezikojnë të shemben janë identifikuar në Prishtinë

Humbja e jetëve të tre të miturve në Gjakovë pas shembjes së një shtëpie të pabanuar ka tronditur të gjithë. Por, objektet e pabanuara vazhdojnë të jenë një rrezik për qytetarët në krejt Kosovën. Mospërfundimi i procesit të legalizimit, sipas ekspertëve, po konsiderohet si njëri nga problemet më të mëdha për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Sipas të dhënave të Komunës së Prishtinës, në kryeqytet janë identifikuar 61 objekte që rrezikojnë të shemben

Tre të mitur humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie në fshatin Jabllanicë të Komunës së Gjakovës vikendin që lamë pas.

Sipas informacioneve të familjarëve, njëri i moshës 13 dhe dy të tjerë të moshës 15-vjeçare ishin duke luajtur në kohën kur shtëpia e braktisur për vite me radhë u shemb.

Objekte në gjendje të tillë, të braktisura e të pabanuara, ka shumë edhe brenda kryeqytetit.

Të parrethuara dhe në rrezik për shembje, ato vazhdojnë të jenë të qasshme për qytetarët.

Drejtori për Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, thotë se në kryeqytet janë identifikuar 61 shtëpi të pabanuara dhe që rrezikojnë të shemben.

“Sa i përket çështjes së shtëpive të braktisura apo të vjetra është një problem që e ka përcjellë Prishtinën gjatë gjithë kohës, por jo vetëm. Marrë parasysh që kjo vjen si pasojë e paspërfundimit të luftës, kemi pasur lëvizje të qytetarëve. Ka shtëpi që nuk i dihet pronari. Në bazë të ligjit, ne në baza çdo gjashtë muaj bëjmë inspektimin e këtyre objekteve. Raportin e fundit e kemi përgatitur më 20 dhjetor të vitit 2024 dhe janë të evidentuar 61 shtëpi që janë në gjendje të rëndë, dhe një pjesë e tyre paraqesin rrezik për qytetarët, janë po ashtu edhe 11 mure dhe 1 lokal. Në bazë të analizave 6-mujore i shikojmë a janë dëmtuar më shumë, a ka pasur ndonjë intervenim nga pronarët, apo ka pasur ndonjë përmirësim të gjendjes së tyre”, ka deklaruar ai.

Sipas Fushticës, kur bëhet fjalë për prona private, Komuna e ka të vështirë t’i trajtojë.

“Problemi është se një pjesë e madhe e tyre janë pronë private dhe ne nuk mund të intervenojmë në to. Atë çka mund të bëjmë i rrethojmë me masa mbrojtëse deri në atë masë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve. Kemi intervenuar dhe vazhdojmë të intervenojmë. Një pjesë të tyre janë edhe në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe ne nuk kemi të drejtë të intervenojmë në to, pasi është Ministria e Kulturës ajo që përkujdeset për to”, ka theksuar ai.

Drejtori i Emergjencave në kryeqytet thotë se ekzistojnë informacione që këto hapësira përdoren nga të rinjtë edhe për gjëra të jashtëligjshme.

“Kemi informacione nga policia se këto shfrytëzohen nga të rinjtë për dukuri të ndryshme negative, por ku kemi mundur të intervenonim i kemi vendosur rrethojat që të mos kenë akses të rinjtë. Por sërish po them që prona private është problem. Apeloj tek pronarët e shtëpive të braktisura të bashkëpunojnë me ne”, ka deklaruar Fushtica.

Problemi kryesor është te mospërfundimi i procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje nga komunat - mendon njohësi i çështjeve të urbanizmit, Driton Tafallari. Sipas tij, të gjitha objektet e palegalizuara paraqesin rrezik të përmasave të tilla, si ajo në Jabllanicë.

“Problemi është që neve në Kosovë po duhet të na ndodhë një tragjedi e përmasave të mëdha, pra na ka humbur jeta e tre të rinjve, për t’i ngritur disa çështje thelbësore të rëndësisë jetike. Kjo lidhet me çështjen e moslegalizimit të ndërtimeve pa leje. Dy nga tre banorë në Kosovë jetojnë në ndërtesa të palegalizuara dhe ato ndërtesa i bie që nuk kanë pranim teknik se potencialisht i bie që çdo ndërtesë që nuk ka pranim teknik mund të shkaktojë një dëm. Në këtë drejtim nuk është duke u punuar asgjë. Sipas regjistrimit që është bërë në vitin 2015 ka rezultuar se në Kosovë ekzistojnë 350 mijë banesa të palegalizuara. Ligji është ndërruar disa herë,  kërkohet nga qytetarët që disa herë të aplikojnë, në anën tjetër komunat ankohen që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për t’i trajtuar këto lëndë. Jemi në një rreth vicioz dhe krejt çka po ndodh është që po mbesim duke ua hedhur fajin njëri-tjetrit”, është shprehur Tafallari.

Ai thotë se objektet që paraqesin rrezik për shembje duhet të izolohen në mënyrë që askush të mos ketë qasje në to.
“Duhet të bëhet një regjistrim i të gjitha objekteve që ekzistojnë në Kosovë. Pas regjistrimit duhet të ndahen në tri grupe. Te grupi i parë janë ato të legalizuara dhe me të cilat nuk kemi problem por që janë më pak në numër. Grupi i dytë është grupi i objekteve të palegalizuara që ato duhet të ndahen ne dy pjese ato që i plotësojnë për legalizim dhe ato që paraqesin rrezikshmëri për t’u rrënuar. Këto duhet të izolohen me ndonjë rrjet të patejkalueshëm dhe t’u japin afate shumë të shpejta pronarëve të atyre objekteve t’i rrënojnë ose t’i rinovojnë. Nuk mund të presim me vite ose dekada për shtëpitë që veç priten të rrëzohen. Duhet të kemi një afat kohor edhe për ndërtime jo të bëjmë me dekada”, ka theksuar Tafallari.

Ai shton se është i nevojshëm pranimi teknik i të gjitha ndërtesave.

“Vetëm Prishtinën nëse e marrim shembull ekzistojnë një informatë që rreth 44 mijë objekte janë të palegalizuara që mendoj që është rritur ky numër pasi nuk është bërë azhurnimi i këtyre informatave më. Çdo objekt që nuk është i pranuar teknikisht paraqet rrezik për t’u rrënuar. Pra pranimi teknik e bën të mundur apo jo një objekt të lejueshëm”, ka thënë Tafallari.

Me gjithë rëndësinë e madhe të legalizimit, Tafallari thotë se asnjëra nga partitë që po garojnë për pushtet nuk e kanë përfshirë këtë proces në premtimet e tyre elektorale.