Arbëri

Bajrami: 1 Qershori të shënohet si ditë e mafisë energjetike

Hykmete Bajrami

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se 1 qershori duhet të shënohet si ditë e mafisë energjetike në Kosovë.

Ajo përmes një postimi në faqen e saj në Facebook ka shkruar të dielën se përgjatë katër viteve të shkuara mafia energjetike për të cilën kryeministri në detyrë Albin Kurti fliste sa ishte në opozitë ka marrë formë.

Sipas saj , ka emra dhe mbiemra.

“Është Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, e cila për katër vite nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka vendosur njerëzit e vet në krye të institucioneve që prodhojnë energji, japin licenca e që janë të thirrura me mbikëqyrë tregun e energjisë”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka thënë se struktura e mafisë energjetike nisi në ditët e para të qeverisjes së Vetëvendosjes.

Ka shtuar se Kurti e pati dërguar në KEK Nagip Krasniqin që ishte kryesues i Komitetit të Energjisë në Vetëvendosje, e i cili tash po përballet me aktakuza për korrupsion.

“Pastaj, Martin Berishaj brenda 24 orëve u pajis me pasaportë diplomatike dhe u emërua ambasador. I njëjti paguhej nga kompanitë energjetike përfshirë GEN-in.  Në gjithë këtë situatë, përmes faturave, EFT-ja e Vuk Hamoviçit përfiton miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Bajramit, kjo nuk është rastësi dhe nuk ka më hapësirë për mbulesë. Ka shtuar se tashmë po e shohin të gjithë skemën e ndërtuar me qëllime të qarta, atë të pasurimit të disa individëve në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.

“Në media u raportua se vëllai i Kurtit po merret diçka me çështje të energjisë në KEK, ani pse që shumë vite punon në KEK. Gjithashtu u raportua se një donator i LVV-së tashmë është zgjedhur drejtor i KEK-ut. Lajmi tjetër ishte se vëllai i shefit të kabinetit të Kurtit është duke e provuar fatin në energji. Për më tepër, i kemi parë të gjitha mesazhet në grupin e WhatsApp-it, ku vendoset për tenderët milionësh të KEK-ut, përkundër faktit se pohohej se ajo kompani nuk i plotëson kushtet”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe dolën në sipërfaqe kompani fantome të regjistruara gjatë qeverisjes së Kurtit.  Ka thënë se NOA tani është kompani me 2 punëtorë dhe me 160 milionë euro qarkullim vetëm në vitin 2024.

Bajrami ka thënë se çmimi i energjisë në qeverisjen e Kurtit ka shënuar rritje rekorde. “Dhe, mbrëmë sërish u paralajmërua shtrenjtim i rrymës”.

“Shihni faturat, shiheni faturën e muajit maj dhe krahasone me majin e vitit 2024, 2023, 2022 dhe 2021. Kosova kurrë nuk ka importuar më shumë energji sesa në këto katër vitet e fundit. Sot, rreth 1300 ndërmarrje që punësojnë gjysmën e atyre që punojnë në sektorin privat dhe që gjenerojnë gjysmën e buxhetit të Kosovës, po dalin në një treg të hapur të energjisë i cili nuk ekziston, ndërsa fatura e energjisë po u trefishohet”, ka thënë ajo.

Ka theksuar tutje se për Qeverinë e kaluar të LVV-së këto janë vetëm 1% e kompanive (në fakt janë 1.54% nga gjithsej 84,500 ndërmarrje sa janë aktive në treg), “por a po e kuptoni se qeveria po punon kundër këtyre 1300 kompanive për t’ia rregulluar tregun kompanive si NOA dhe për t’ia rritur nesër shanset në treg kompanisë së vëllait të Luan Dalipit”.

Ajo ka kërkuar hetim dhe auditim për të gjithë.

“Prokuroria të merret me mafien energjetike para se kjo të shkatërrojë çdo gjë që është ndërtuar për 25 vite”, ka përfunduar Bajrami.

Bizneset ditë më parë kanë protestuar kundër daljes në treg të hapur të energjisë, ku thonë se do të paguajnë çmim trefish më të shtrenjtë.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të thotë se bizneset e mëdha nuk do të përfitojnë më nga tarifat e rregulluara, por do të detyrohen të sigurojnë furnizim përmes tregut të hapur.

Bazuar në vendimin e ZRRE-së, bizneset të cilat kanë mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim detyrohen që të zgjedhin se prej ku do të furnizohen me rrymë me çmime të parregulluara nga ZRRE-ja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se koha e barrikadave ka kaluar dhe nuk do të lejojnë të vendosen të reja, si përgjigje ndaj protestës së bizneseve.

Kurti ka thënë se nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrje apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë.