Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nuk po e kupton se qysh edhe pas katër javëve grevë të punonjësve teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës, asnjëri nga rektorati nuk po ulet të bisedojë me ta.
Azemi ka thënë se u është ofruar një pagë 292 euro neto punonjësve, por është refuzuar kategorikisht.
“Nëse nuk arrihet marrëveshja, këta 250 punëtorë në mënyrë kolektive e lëshojnë punën. Kanë gjetur zgjidhje më të mirë, ne do të shfrytëzojmë gjitha mjetet ligjore sa të mundemi, por kur nuk mundemi atëherë do të lëshojmë punën. Atëherë sigurisht rektori me bashkëpunëtorët e vetë do ta pastrojnë Universitetin sepse punëtorë nuk do të ketë. Çdo kompani po ka mungesë të fuqisë punëtore. Po habitem se si nuk e llogarisin që brenda një jave universiteti do të jetë në kaos”, ka thënë Azemi për “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se edhe studentët kanë bojkotuar ligjëratat pasi kanë thënë se në këto kushte nuk mund të mësojnë.
Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar para Rektoratit të hënën duke kërkuar pagë më të madhe.
Edhe
Azemi: S’ndalet greva pa u paguar borxhet ndaj punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë
“Kemi një problematikë. Me kompaninë që kemi kontratë ajo skadon nesër. Nesër pas protestës që do të bëhet do të ulemi e të vendosim si do të veprojmë. Punëtorët janë shumë agjil dhe është normale se nuk duan të punojnë për 292 euro. Kemi kërkuar që paga e tyre të jetë sa e punëtorëve të sektorit publik, pra 400 euro. Është shumë normale. S’kemi nevojë t’ia falim dikujt fuqinë punëtore. Ka ndodhur në të kaluarën, por ka shumë kërkesa për punësim. Kemi shumë mundësi dhe u themi lamtumirë”, ka thënë Azemi.
Ai ka treguar se punonjësve të sigurimit, ndonëse të gjithë janë në grevë, gjysma e tyre kanë marrë paga të plota e gjysma e kanë marrë pagën e zvogëluar, duke ua zbritur ditët e grevës. Ai ka treguar se punëtorët teknikë deri në ora 16:00 nuk kanë marrë pagat
“Veprimet që kanë bërë këta, as një shtet armik nuk i bën ndaj këtyre punëtorëve. Kemi hyrë në ditën e parë të Ramazanit dhe nuk i kemi as ato 250 euro që na takojnë më e pakëta”, ka thënë Azemi, që ka shtuar se do të aktivizohet edhe Inspektorati i Punës për të kërkuar pagat atyre punëtorëve që u janë dhënë pagat e zvogëluara.
Azemi ka akuzuar Qeverinë aktuale se nuk po bën asgjë për sektorin privat.
“Po më forcohet bindja se këta nuk interesohen për gjendjen e punëtoreve të sektorit privat. E ky kryeministër pikërisht në Universitetin e Prishtinës në mars të vitit 2020 kishte premtuar që paga e këtyre punëtorëve do të rritet në 350 euro, kur ai të bëhet kryeministër. Ne lobojmë për një muaj ditë, por nuk na ofrojnë as dialog. Këta janë mësuar në të kaluarën, po mendojnë se ka ende fuqi punëtore. Nuk po e shohin gjendjen reale”, ka shtuar Azemi, që ka thënë se edhe nëse largohen nga vendi i punës, punonjësit e kanë të garantuar që brenda javës “të sigurojnë vend tjetër pune me 400 euro rrogë dhe transport e ushqim të paguar”. “Më kanë garantuar këtë pronarë të kompanive të mëdha”.
Edhe
Arrihet marrëveshja, punëtorët e sigurimit në UP pritet t’i kthehen punës
Azemi ka thënë se po befasohet me këtë mosinteresim. Ai ka thënë se situata më nuk është siç ka qenë para 4-5 vjetësh.
“Kosova po e merr atë që e ka merituar. Po flas si Kosovë. Këta punëtorë, jo vetëm këta, por në përgjithësi janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Kemi paguar edhe kredinë e pronarëve të kompanive, duke mos marrë paga 3-4 muaj ditë. Kemi shkuar në Inspektorat të Punës, kemi hy në grevë. Inspektorët u kanë thënë punëtorëve dilni nga greva se kryetari i Sindikatës ju ka shti keq në grevë e ju largojnë prej pune krejt. Ishte periudhë para 4-5 vjetëve dhe punëtorët e ngratë u desh me dalë. Një inspektor i punës i ka nxjerrë 300 punëtorë nga greva, sepse ka marrë një ‘dhuratë shumë të vogël’. Por nuk është më ajo gjendje. Vetëm sot mbi 20 punëtorë të sektorit privat më thanë se kemi gjetur punë qysh me kohë , le të vazhdojnë. Por, qeveritarët para punëtorëve të sektorit privat nuk kanë pse të rrejnë, nuk kanë bërë asgjë për këtë sektor. S’kemi marrëveshje kolektive, e kemi një ligj pune prej 2011, s’kemi sigurime shëndetësore, nuk kemi as pagë minimale. Edhe sot paga minimale në sektor privat është 170 euro”, ka thënë Azemi.
Ai ka thënë se s’ka kompani tash në Kosovë që nuk ka mungesë të punëtorëve dhe se po ikin punëtorë të kualifikuar.
Azemi ka theksuar se në komuna kanë nisur të dëgjohen, por në nivel të shtetit ende jo.
Edhe
Punëtorët teknikë dhe të sigurimit paralajmërojnë largim kolektiv nëse pagat nuk rriten në 600 euro
“Ta harrojë dikush që jemi skllav të ndokujt. Jemi vetvetja, e kemi çmimin e shërbimit. Atij që i nevojitet ja ku na ka, atyre që nuk u duhet atëherë lamtumirë”, ka thënë Azemi.