Arbëri

Avokati i Thaçit: Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerëson se në Hagë po ka tendencë për t’u rishkruar historia e Kosovës.

Pierre Prosper në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në Gjykatën Speciale është duke e gjykuar populli i Kosovës e jo individët. Ai thotë se mbrojtja tashmë ka humbur besimin në Prokurorinë e Speciales. ZPS-në e akuzon se po i fsheh dokumentet shfajësuese për ish-krerët e UÇK-së.

Prosper i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, Bashkimit Evropian, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës që ta monitorojnë punën e gjykatës.

“Teoria e prokurorisë se UÇK-ja është një organizatë kriminale është shumë problematike. Është problematike nga aspekti i realitetit se çka ka ndodhur. Është problematike edhe sepse kur flisni për këtë, atëherë, përtej kësaj teorie, ju po thoni se NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë renditur, me vetëdije, me një organizatë kriminale. Dhe ky është një nga problemet që e kemi me këtë rast. Ne besojmë se kjo teori është e ekzagjeruar, e pasaktë dhe ka për qëllim të rivendosë dhe të korrigjojë historinë”, ka thënë Prosper, për EO.

Ai ka shtuar se po bëhet gjykim kundër Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Populli i Kosovës, shoqëria civile, Qeveria duhet ta trajtojnë këtë rast më me kujdes. Është një rast më shumë se sa kundër individëve. Në të vërtetë është një gjykim kundër një vendi, një gjykim kundër popullit të tij. Sepse, ajo çka po ndodh këtu është një tendencë për të shkruar një histori. Po ashtu, është një gjykim nga këto Dhoma dhe pjesëmarrësit e këtyre Dhomave rreth kapaciteteve dhe kualitetit të popullit të Kosovës. Unë mendoj se populli i Kosovës duhet të ketë pronësi në këtë proces. Populli duhet të jetë i përfshirë, duhet ta ketë fjalën e vet, sepse kjo do të përcaktojë të ardhmen dhe fatin e vendit”, tha Prosper.

Prosper ka shtuar edhe për mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk e dimë se cilat kushte do të ishin të mjaftueshme për gjykatën. Dhe kjo është një nga arsyet që ne po i kërkojmë gjykatës të bëjë një seancë dëgjimore, ku do të mund të kemi Policinë e Kosovës ose dikë tjetër që t’ia shpjegojnë gjykatës se çka do të mund të bënin që ta siguronin atë se integriteti i procedurave gjyqësore nuk do të dëmtohej nga një lirim i përkohshëm. Shpresojmë se gjykata tashmë po e shqyrton këtë dhe do të kemi një seancë dëgjimore për këtë që na mundëson të ecim përpara”, tha Prosper.

Ai e ka quajtur këtë proces që po zhvillohet në Hagë si jokorrekt.

“Mendoj se është e rëndësishme që procesi të jetë korrekt. Dhe atë çka kemi parë të shpaloset në Dhomat ishte me të vërtetë paragjykuese dhe jo korrekte ndaj të akuzuarve. Ne duam të sigurohemi që të akuzuarit t’i kenë të gjitha të drejtat të respektuara dhe të garantuara. Një nga çështjet për të cilat jemi të brengosur është se pamë një fshehje të informatave të rëndësishme”, tha Prosper.