Aidan Hehir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, ka kritikuar Gjykatën Speciale dhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hehir ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk mund të paraqitet si pjesëtar i rëndomtë i UÇK-së, duke theksuar pozitën që ai kishte dhe rolin që më pas mori në institucionet e Kosovës. Sipas tij, Thaçi është i lidhur ngushtë me identitetin politik dhe shtetëror të Kosovës, ashtu si edhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së që kanë reputacion të rëndësishëm.
“E dini, Hashim Thaçi nuk ishte thjesht një ushtar i rangut të ulët në UÇK. Ai ishte dikush që mbante një pozitë shumë të lartë në organizatë. Është dikush që më pas u bë kryeministër, ministër i Jashtëm dhe president i Kosovës. Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, ai është i lidhur ngushtë me identitetin e Kosovës. Këto katër figura – jo vetëm Thaçi, por edhe tre të tjerët – gëzojnë një reputacion të madh në Kosovë dhe konsiderohen, me të drejtë sipas mendimit tim, si heronj për shkak të ngjarjeve të viteve 1998 dhe 1999. Të kthehesh kundër tyre, t'i paraqesësh heronjtë kombëtarë si kriminelë apo si njerëz fajtorë për krime lufte, është diçka që asnjë vend që e respekton veten në botë nuk do ta toleronte kurrë”, ka thënë ai në “Interaktiv” në KTV.
Hehir ka krahasuar historinë e vendit të tij, duke deklaruar se irlandezët nuk do të lejonin kurrë që luftëtarët e tyre të gjykoheshin nga të huaj.
“Siç e përmenda, unë jam irlandez. Njerëzit tanë, ushtarët tanë që luftuan kundër shtypjes, natyrisht që gjatë asaj lufte mund të kenë bërë gjëra që nuk ishin ligjore apo morale. Por ne kurrë nuk do të kishim lejuar që njerëzit tanë të gjykoheshin nga të huaj dhe të shpalleshin fajtorë për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Shtetet e Bashkuara u themeluan nga njerëz që morën armët kundër qeverisë britanike. Shumë vende në mbarë botën janë krijuar nga figura rebele që luftuan heroikisht kundër shtypjes dhe që nuk e bënë këtë gjithmonë në mënyrën më morale apo më të pastër”.
Edhe
Dinamikat që karakterizuan rastin e madh të Speciales
Hehir e ka cilësuar si “turp të madh” përdorimin e materialeve të inteligjencës serbe në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka argumentuar se Gjykata Speciale është gjykatë e huaj, e cila, sipas tij, i është imponuar Kosovës.
“Por që një gjykatë e huaj – dhe në fakt kjo është ajo që përfaqëson kjo gjykatë, një gjykatë e huaj që iu imponua Kosovës – t'i shpallë ata fajtorë dhe të përdorë materiale të inteligjencës serbe gjatë gjykimeve kundër këtyre figurave, ky është një turp i madh”, ka theksuar ai.
Ai ka theksuar se kjo gjykatë u krijua për ta kënaqur Serbinë.
“Është një shuplakë në fytyrë për Kosovën. Sa i përket idesë se drejtësia duhet të vihet në vend, unë pajtohem plotësisht me të, por jo përmes kësaj gjykate; arsyeja e vetme e krijimit të saj ishte për të kënaqur Serbinë. Serbia udhëhiqet nga një njeri që ka qenë ministër i propagandës së Millosheviçit; është një vend që në asnjë mënyrë apo formë nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka bërë shlyerje për fushatën gjenocidale që kreu kundër popullsisë civile shqiptare në vitet 1998 dhe 1999”.
Hehir ka kritikuar edhe, siç e sheh ai, fokusin e debatit ndërkombëtar mbi krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se vëmendja duhet të përqendrohet te krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Edhe
Kurti: Lufta jonë ka qenë e drejtë, urojmë që verdikti i Speciales të jetë në përputhje me këtë
“Fakti që jemi ulur këtu sot dhe që nesër do të flasim për atë që bëri UÇK-ja – ndërkohë që duhet të flasim për të gjitha përdhunimet, për të gjithë njerëzit që janë ende të zhdukur, për të gjitha torturat, vrasjet dhe shkatërrimet e xhamive, shkollave e shtëpive që Serbia kreu në vitet 1998 e 1999, si dhe t'i kërkojmë Serbisë dëmshpërblim dhe shpjegime, pra të na tregojë saktësisht se ku ndodhen trupat e zhdukur. Kjo është shqetësuese”, u shpreh ai.
Sipas Hehir, çështja e personave të zhdukur do të duhej të ishte kusht kryesor në dialogun Kosovë-Serbi.
“Kjo çështje duhet të kishte qenë në qendër të të gjitha negociatave mes Kosovës e Serbisë dhe mes Bashkimit Evropian e Serbisë; duhet të kishte qenë një vijë e kuqe: pa treguar se ku janë trupat e zhdukur, nuk ka negociata. Është turp që Serbisë i është lejuar të afrohet gjithnjë e më shumë me BE-në dhe NATO-n ndërsa Kosova stagnon, dhe se, në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të kryejë sulme ndaj fqinjëve të saj në Bosnjë e në Kosovë dhe të nxisë paqëndrueshmëri në Mal të Zi. BE-ja dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj politike të tolerancës së tepruar ndaj Serbisë, duhet të ndihen të turpëruar”, ka deklaruar Hehir.
Hehir po ashtu ka folur edhe se çfarë mund të ndodhë në Kosovë në rast se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dënohen të enjten nga Gjykata Speciale në Hagë.
Hehir ka treguar se kishte bërë një hulumtim në vitet 2016-2017 dhe nga përfundimi që kishte përpiluar në raport tha se ka frikë se nëse ish-krerët e UÇK-së shpallen fajtorë atëherë do të shkaktonte paqëndrueshmëri dhe konflikt në Kosovë.
Edhe
Thaçi për Gjykatën Speciale: E shmangëm Rusinë, sot po e paguaj çmimin me lëkurën time
“Kjo, sepse kur u krijua gjykata, ajo u prezantua si një mjet për të krijuar paqe dhe pajtim; diçka që do të ishte e dobishme për serbët dhe shqiptarët në Kosovë, si dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nuk gjeta asnjë provë që të sugjeronte se një gjë e tillë ishte e mundshme. Fatkeqësisht, frika ime është se nëse këta njerëz shpallen fajtorë, komuniteti shqiptar i Kosovës do të jetë aq i zemëruar (dhe natyrisht që do të ishin të tillë), saqë kjo mund të nxisë trazira në Kosovë. Shpresoj vërtet që kjo të mos ndodhë dhe u bëj thirrje të gjithë atyre që ndihen të zemëruar me këto rezultate, që ta drejtojnë zemërimin e tyre në drejtimin e duhur”, tha Hehir.
Ai tha se çdo sulm ndaj serbëve apo vandalizëm ndaj manastireve apo veprime të ngjashme, do të “shihen nga Beogradi si prova të mëtejshme që mbështesin pretendimet e tyre të rreme për spastrim etnik dhe gjëra të ngjashme në Kosovë”.