Arbëri

Avokati i Popullit: Gjendja në fushën e sigurisë në punë është alarmante

aip

Avokati i Popullit është shprehur se vdekjet e dy punëtorëve në vendin e punës të hënën janë tregues i qartë i gjendjes alarmante që mbizotëron në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe pasojë e mungesës së zbatimit efektiv të standardeve ligjore. 

“Këto raste janë tregues se gjendja me respektimin e të drejtave të të punësuarve, në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, vazhdon të jetë e brishtë”, thuhet në reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit.

Në reagimin e tij thuhet se përkundër që institucioni i Avokatit të Popullit më 2024 ka publikuar raport mbi kushtet e punës dhe rekomandime të qarta dhe të zbatueshme, “autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes”. 

Avokati i Popullit ua ka tërhequr vëmendjen autoriteteve për përgjegjësinë që kanë për veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar në zbatim të detyrimeve lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë. 

“Siç është e domosdoshme që Inspektorati i Punës të përmbush detyrimet ligjore, që përmes kontrollit në terren, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë të ndikoj në parandalim të aksidenteve në punë dhe mbrojtje e siguri. Në anën tjetër autoritetet përgjegjëse kanë detyrim të veprojnë me qëllim të një hetimi të gjithanshëm, profesional dhe transparent për secilin rast të aksidentit në punë dhe duke vendos përgjegjësi institucionale në ushtrim të kontrollit efektiv në zbatim të masave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si përgjegjësisë së shtetit për respektimin e të drejtës për jetë dhe përgjegjësisë që ka shteti për të garantuar sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës”.