Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bllokuar produktin ushqimor për foshnja “Beba Suprem PRE” 800 gramësh.
AUV ka marrë njoftimin nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i Shqipërisë dhe më pas ka konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produktin ushqimor për foshnja me datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631, importuar nga kompania “Rossmann Kosova”.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Kompania prodhuese “Nestle” në fillim të janarit pati njoftuar se po tërheq disa nga produktet e saj, përfshirë formulat për foshnja, në dhjetëra shtete të Evropës. Arsyeja për këtë ishte prania e mundshme e një bakteri që mund të shkaktonte të vjella.